Agjencia serbe e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) këshilloi presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, që për arsye sigurie të mos udhëtojë drejt Tivatit për samitin BE- Ballkani Perëndimor, kërkesë që kreu i shtetit serb e hodhi poshtë duke thënë se nuk ndihej i kërcënuar. “Do të shkoj në Mal të Zi, pasi është e rëndësishme që të përfaqësoj Serbinë atje” – deklaroi Vuçiç.
Paralajmërimi erdhi, pasi sipas Agjencisë serbe të Sigurisë, në atë vend ndodhet edhe udhëheqësi i klanit kriminal Kavaç, Radoje Zvicer, i cili gjendet në listën e 50 të kërkuarve më të rrezikshëm në Evropë. Pas njoftimit të BIA-s, Podgorica thotë se qëndrimi në Mal të Zi është i sigurt.
“Në prag të Samitit në Tivat, do të bëjmë gjithçka që miqtë, aleatët dhe partnerët tanë të priten në nivelin më të lartë dhe të sigurojmë organizimin e suksesshëm dhe dinjitoz të këtij eventi të rëndësishëm ndërkombëtar për ne. Mali i Zi garanton qëndrim të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme malazeze.
Garanci për mbarëvajtjen e samiti dha edhe policia malazeze, e cila ka ngritur në nivelin maksimal masat e sigurisë.
“Do t’i përgjigjemi fuqishëm, me vendosmëri dhe në mënyrë parandaluese çdo përpjekjeje për të kërcënuar sigurinë, rendin kushtetues, për të destabilizuar institucionet, për të prishur rendin publik ose për të dëmtuar qytetarët, pjesëmarrësit në Samit dhe Malin e Zi”- thuhet në një deklaratë të saj.
Nisur nga kontrollet e shtuara që përfshinë edhe aeroportin e Tivatit, ku do të mbahet samiti, policia vuri nën kontroll një fluturim çarter që vinte nga Beogradi , ku pas verifikimeve rreth 90 shtetas serbë u dëbuan me arsyetimin se përbënin rrezik për sigurinë.
/rtsh.al/



