​Kurti: Po synohet qeveri kundër fituesit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se po synohet të formohet një qeveri pa fituesin e zgjedhjeve dhe kundër fituesit. Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se qeveria e drejtuar nga ai, për herë të parë në Kosovë, ka qenë e pavarur ndaj Listës Serbe dhe PAN-i. I pyetur nga gazetarët rreth zhvillime të sotme politike ku LDK tashmë ka emëruar një kandidat për kryeministër të ri të Kosovës, Kurti ka thënë se vlerësimet për këto ngjarje do t’i japin kur t’i shohin dokumentet zyrtare të nënshkruara.

Kurti kujtoi se në vitin 2014 kanë konsideruar që shumica parlamentare formohet në Kuvendin e Republikës por që këtë e kishte rrëzuar një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, me të cilin Kurti tha se janë pajtuar.

“Ne ishim në vitin 2014 mirëpo atëherë na thanë se e kemi gabim, se paska shumicë relative, se i pari në garë qenka shumicë relative, ne e pranuam, tash fituam e tash po thonë ejani të kthehemi në vitin 2014. Ndryshuan rregullat e lojën me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese në sistemin tonë institucional ne i pranuam ato e tash po thonë le të kthehemi atje në vitin 2014 që është padrejtësi e dyfishtë. Edhe në vitin 2014 na bëhej e padrejtë e po na bëhet edhe sot sepse po synohet një qeveri jo vetëm pa fituesin, por edhe kundër fituesit dhe një qeveri e cila për herë të parë në Kosovën e pavarur nuk varej as nga Lista Serbe e as nga PAN-i. Dhe me tejkalimin e kompetencave të presidentit i cili po dëhsiron të formojë vullnet politik që nuk është në mandatin e tij edhe me varësi prej Listes Serbe edhe me varësi prej PAN-it”, tha Kurti.