​Italianët kundër koronavirusit po testojnë një kurë për artritin

Mjekët italianë po ekzaminojnë një ilaç të përdorur për të luftuar artritin reumatoid, për të trajtuar pacientët e prekur me koronavirus, raporton Il Mattino.

Agjencia Italiane e Barnave ka aprovuar përdorimin eksperimental të këtij ilaçi dhe komisionari Angelo Borrelli tha se beson se brenda dhjetë ditëve do të dihet saktë për nivelin e tij të efikasitetit.

Ilaçi po eksperimentohet në Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive, Lazzaro Spallanzani në Romë dhe disa spitale të tjera, siç konfirmohet nga drejtori sanitar i atij instituti, Francesco Vaia.

Ilaçi është testuar te gjashtë pacientë në Napoli dhe deri më tani ka rezultuar i efektshëm në trajtimin e inflamacionit të mushkërive të shkaktuara nga koronavirusi.

Tocilizumab tani do të jetë në dispozicion falas në të gjitha rajonet italiane duke e kërkuar atë nga prodhuesi, transmeton KosovaPress.