Kryeministri Zoran Zaev ka udhëtuar për në Gjermani ku të enjten do të takohet me kancelaren, Angela Merkel, nga e cila pritet të merr përgjigje të qartë nëse Shkupi do të merr ose jo datën e nisjes së negociatave të anëtarësimit me BE-në. Zaev para nisjes për në Berlin në një përballje televizive në 24 Vesti ka thënë se mos marrja e datës mund të ketë pasoja për shkak të mundësisë së përfshirjes së ndonjë pale të tretë në rajon, por pa specifikuar se për cilin shtet e ka fjalën.

“Nëse nuk japin datën Maqedonisë së Veriut mund të hapin rrugën e ndikimit të shteteve të treta. Nëse nuk jepet data mos prisni do të motivoni Vuçiqin dhe Thaçin të kërkojnë dialog për Kosovën, pasi nuk kanë motivim. Nëse nuk jepet data do t’i demotivoni proceset reformuese që kanë nisur apo ato ekonomike. Nëse nuk jepet data, përfundimisht mund të kthejnë nacionalizimin, radikalizmin, populizmin që nuk sjellin progres. Pra, mos dhënia e datës mund të hap shumë çështje, prandaj besoj se këto janë arsyet për të caktuar datën e nisjes së bisedimeve”. – theksoi Zoran Zaev, Kryeministër

Kreu i qeverisë thotë se mos caktimit i datës në kohën kur Maqedonia e Veriut ka marr raportin më pozitiv deri më tani, me rekomandimin për nisjen e bisedimeve, do të ishte goditje për institucionet dhe vendin, para se gjithash për shkak të mbylljes së një për çështjeve më të ndjeshme, atë të ndërrimit të emrit.

“Ne kemi të drejtë të plotë që të luftojmë për atë që e meritojmë dhe këtë do ta bëjmë deri në fund. Unë jam i bindur se do të marrim datën e bisedimeve, por duam që këtë ta marrim sa më shpejt që të jetë e mundur. Këtë e duam këtë verë. E kuptoj se pse nuk do të jetë në qershor, por nuk e kuptoj pse jo në korrik, prandaj dua të ma thonë dhe besoj se do të marr përgjigjen. 14 vjet po presim datën për nisjen e bisedimeve, 14 vjet kemi pritur për shkak të problemit me Greqinë. E kemi merituar si asnjëherë më parë”.- deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër

Ai ka përsëritur qëndrimin se në rast se dështon në marrjen e datës, atëherë nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, dorëzimin e mandatit, apo riformatimin e plotë të qeverisë.