Vjen reagimi i Haradinajt, pas padisë nga Edi Rama

Haradinaj thotë se, sipas ligjit, do t’i përgatisë përgjigje në padi kryeministrit të Shqipërisë.

“Sot është raportuar në media se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deponuar padi kundër meje në Gjykatë.Unë, sipas ligjit, do të përgadis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore!”, ka shkruar kryeministri në detyrë.

Ai e quan të pabazuar padinë dhe tentim për t’i ikur përgjegjësisë përmes dramave.

“Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, ka shkruar tutje Haradinaj.

Padia e Ramës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, të mërkurën, është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Me pretendimet se Haradinaj ka shpifur me deklarimet e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit.

Padia e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.

Në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuciqin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.