Ky është vëllimi i dytë poetik, me të cilin Arbër Çeliku vjen tepër origjinal, me botën e tij karakteristike, të pandikuar nga shkresurinat e rrethepërqarkëshme, me një veçanti dhe vendosmëri të dukshme për të bërë letërsinë. Tashmë poezitë e tij ndërtojnë një minikozmos më vete që ndrin edhe kur qiellin e kaplojnë mjegullnajat e terrta vjeshtake, të cilat duan t’ia ndalin frymën. Poeti rrëfimin poetik e veneron nëpër rrugët jetësore duke e ngjeshur atë me atdhedashuri dhe mesazhe të çiltërta ekzistencialiste. Mbase ndeshja e së mirës kundruall së keqes i ngjan luftës së dragoit me kuçedrën këtu me patjetër të ngadhnjejë e mira, ajo njerëzorja, për të cilën autori kujdeset me shumë përpikmëri… sepse të demistifikosh apo të zhveshësh të keqen deri në një tejdukshmëri të pambrojtur, është ndihmesa më e madhe për ta luftuar atë dhe për ta mundur më lehtë… Domethënë poezitë e Arbër Çelikut kanë mision për të bërë këtë luftë të pakompromis, sepse ata jo vetëm që rrëfejnë historira padrejtësish e nëpërkëmbzash që i bëhen njeriut të papushtetshëm nga sunduesit apo klasat e privilegjuara politike, por dhe truqet gati të pahetueshme ndërmjet të cilave sundohet ai. Prandaj ndërmendja e njeriut të zakonshëm për të hapur sytë që të shikojë çka ngjet rretherrotull, është poentimi kryesor i autorit, i cili njëherësh rrëfen edhe shtigje apo rrugët e duhura nëpër të cilat duhet ecur për të shmangur katrahurën. Ky vëllim poetik, meqenëse vazhdimisht veneron tabloidit kombëtar dhe ndërsa për personazh ka vetë popullin shqiptar, pamëdyshje ushqehet nga një atdhedashuri e madhe, e cila me patjetër duket e kudondodhëshme. Xhelal Ademi

Loading...