Valverde s’dëshiron të jetë trajner në Premierligë: Do ta preferoja Australinë

Ish-trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka thënë se ai do të preferonte të punonte në Australi më shumë sesa në Premierligën angleze, që megjithatë konsiderohet nga shumë persona si liga më e mirë në botë.

Ernesto Valverde u shkarkua nga posti i trajnerit të Barcelonës në janar, përkundër që e kishte fituar dy herë radhazi titullin e La Ligës me Barcelonën, si dhe kishte pasur sukses në Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, transmeton Gazeta Express.

Duke folur për të ardhmen e karrierës së tij trajner, përderisa po e shijon një pushim nga futbolli, 56-vjeçari i ka befasuar tifozët duke thënë A-League, liga e nivelit të parë të futbollit në Australi, është lart në listën e tij.

“Njerëzit më pyesin se çfarë mendoj për Premierligën dhe unë u them: “Epo, unë do të preferoja të shkoja në Australi””, ka thënë Valverde.

“Karriera në futboll nuk zgjat përgjithmonë dhe nganjëherë ti mendon se duhet ta shfrytëzosh këtë mundësi për të jetuar në vende më të çuditshme”.

Valverde pastaj e mori si shembull ish-kapitenin e Barcelonës, Andres Iniestan, i cili u largua nga Camp Nou për të kaluar te klubi japonez Vissel Kobe në vitin 2018.

Ashtu si Iniesta, edhe Valverde është gati të provojë sfida të reja dhe shtoi se Japonia ka qenë gjithmonë një vend në të cilin ai do të dëshironte të punonte.

“Unë e duartrokita Andresin kur ai më tha se po shkonte në Japoni. Unë mendova: “Uau, ai do të mësojë më shumë për një kulturë të ndryshme dhe për njerëz të ndryshëm”. Edhe unë jam shumë i interesuar në Japoni”, shtoi Valverde.

“Në Japoni mund të bësh foto të mrekullueshme. Aty ka shumë vende të cilat do të doja t’i vizitoja. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë në fund. Nuk kam qenë i papunë që një kohë të gjatë, kështu që s’kam vendosur ende asgjë”.

“Ende nuk e kam një ide të qartë. Ka mundësi që unë të shkoj diku jashtë. E vërteta është se më pëlqen të bëj gjëra të çuditshme, kështu që nuk do të them se është e pamundur”. /Gazeta Express/