U “përplasën” Mukoski dhe Milloshoski, akuza të rënda nga foltorja e Kuvendit (Video)

Në foltoren e Kuvendit u përballën edhe ish bashkë-partiakët, Krsto Mukoski dhe Antonio Milloshoski. Mukoski e akuzoi Milloshoskin se është kriminel dhe se e ka shkatërruar VMRO-DPMNE-në, ndërsa Milloshoski thotë se Mukoski nga terrorist është shndërruar në reformator, duke aluduar për një marrëveshje mes tij dhe LSDM-së, për votimin e ndryshimeve kushtetuese për ndryshimin e emrit.

“Krsto Mukoski nga Vevçani dhe Struga, në tubimin me Nikolla Gruevskin tha se nuk do të ndryshohet emri, unë jam krenaria e Vevçanit. Sot Krsto Mukoski nga Vevçani pohon se do të shes emrin dhe se do të shpërngulet në Beograd. Krsto Mukoski u quajt terrorist nga LSDM dhe atë epitet e mban nga miqtë e tij LSDM”, deklaroi Milloshoski.

“Kjo që thatë sot është shembull i pastër i një personi të frikësuar, krimineli, që e di se një ditë duhet të përgjigjet para Ligjeve të këtij shteti. Më vjen shumë keq për partinë VMRO-DPMNE , që ju nuk mund ta përvetësoni para meje, për shkak se ndoshta jam anëtarë i asaj partie edhe para jush, por më vjen keq që VMRO-DPMNE sot është peng i dy-tre kriminelëve si ju dhe është shndërruar në parti sipas shembullit të “Agimit të artë” në Greqi ose radikaleve të Sheshelit”, potencoi Mukoski.