Tirana solidarizohet me Kinën në betejën kundër koronavirusit

“Ne jemi bashkë!”. Me këtë moto u zhvillua të enjten në Tiranë një veprimtari solidariteti e iniciuar nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj me mbështetjen e Ambasadës së Kinës, në përkrahje të Kinës dhe kinezëve, që po luftojnë kundër epidemisë së koronavirusit të ri.

“Tirana është themeluar mbi parimet e një qyteti të hapur dhe jo të paragjykimit”. Me këto fjalë iu drejtua Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, komunitetit kinez që jeton e punon prej vitesh në kryeqytetin shqiptar.

Veliaj theksoi se “Sot më shumë se kurrë duhet të luftojmë injorancën. Jashtë Kinës ka patur vetëm një rast humbje jete. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka qenë në Kinë 10 vitet e fundit më shumë se sa një kinez që jeton në Tiranë. Prej punës dhe shkëmbimeve kam qenë unë më shumë në Kinë se sa kinezi te Medreseja. Kështu që nëse është dikush që duhet paragjykuar ai duhet të jem unë se kam qenë më shpesh në Kinë dhe jo një kinez që shet te tregu te Medreseja apo ka një restorant në Tiranë”

I pranishëm ambasadori i Kinës Zhou Ding pasi falenderoi personalitetet e larta të shtetit shqiptar për mbështetjen tha se “Sot, kryetari Veliaj ka ardhur në komunitet dhe në restorant kinez, duke dhënë mbështetje ndaj Kinës dhe komunitetit kinez në Tiranë me veprime praktike, gjë e cila gjithashtu tregon vizionin, gjerësinë e mendjes dhe angazhimin e Tiranës si kryeqyteti i vendit të Shqiponjës.”

Ndërsa deputeti socialist Ervin Bushati i njësisë bashkiake nr.8, zona ku punon komuniteti kinez i Tiranës shprehu solidaritet me Kinën në këto ditë të përballjes me epideminë e koronavirusit. “T’i japim një mbështetje popullit kinez në këto momente duke i ndejtur pranë në të gjitha pikëpamjet, aq sa na takon se jemi të vegjël. Por një rast si ky kur kryetari Veliaj bën diçka simbolike që nuk e kam parë në ndonjë qytet tjetër në Evropë dhe është një përkrahje shumë e madhe për të gjithë qytetarët e Kinës”, tha Bushati.

Në takimin miqësor të solidaritetit ishte e pranishme dhe zëvendësministrja e shëndetësisë Bardhylka Kospiri, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico, drejtues të shoqatave shqiptaro-kineze, miq dhe dashamirës së Kinës. Në një atmosferë miqësore të pranishmit mbajtën një banderolë ku ishte shkruar në shqip, kinezisht dhe anglisht “Ne jemi bashkë!”.

Eda Merepeza

Loading...