Skenar për filma, arratisja spektakolare nga karantina e fizikantes

Një grua në Rusi e cila mbahej në karantinë për shkak se dyshohej se ishte e infektuar me koronavirus, u arratis.

Autoritetet tashmë po tentojnë që ta marrin me forcë për ta rikthyer sërish në karantinë. Sipas BBC, ajo ndodhet në shtëpi.

Alla Ilyina, 32 vjeçe, u rikthye nga Kina muajin e kaluar, dhe njoftoi ambulancën pasi nuk ndihej mirë.

Ajo iu nënshtrua testeve mjekësore të cilat rezultuan negative.

Por autoritetet vendosën që të qëndronte në karantinë për 2 javë për t’iu nënshtruar dhe disa testeve të tjera.

Alla, e cila ka mbaruar për fizikë, planifikoi arratisjen e saj. Fillimisht zhbllokoi një bravë elektronike e më pas u largua nga spitali.

Sipas BBC ajo gjithashtu vizatoi një skemë të ndërtesës për ta përdorur sërish më vonë.

Autoritetet nuk e ndoqën për 1 javë por më pas ata nxorrën një urdhër gjykate për ta marrë atë me forcë dhe për ta dërguar sërish në izolim.