S’ka zgjidhje për pasaportat, ideja për vulat apostile është e vonuar

Radhë të gjata të pritjes nëpër sportelet administrative të policisë në Shkup. Disa mbushin formularët për pasaporta, paguajnë me procedurë të shpejtë, të tjerët presin të fotografohen. Por, asnjëri prej këtyre nuk e di se kur do të merr dokumente të udhëtimit. Që nga ndërprerja e linjës telefonike për termin, qytetarët ia mësynë dyerve të Sektorit për punë të udhëheqjes së dokumenteve në kryeqytet. Situatë e tillë nga mungesa pasaportave është edhe në qytetet tjera.

Mendoj se sipas vlerësimeve mund të rregullohet kjo çështje, por qytetarët janë të dëmtuar nga këto procedura. Duhet të reagohet urgjentisht.

Po kam dëgjuar dhe këtu pritet nga dy muaj për të marr pasaportën. Por, do të shohim, jemi në pritje unë mendoj se do të bëhet.

Më konkretisht ka mundësi që është pasojë nga qeveria e kaluar, siç i thonë qeveri teknike. Ndryshimet kanë bërë të vetën, sigurisht që ekzekutivi kaluar nuk i ka porositur me kohë.

Ministri i brendshëm teknik Naqe Çulev tha se qytetarët me urgjencë mjekësore dhe viza pune, duhet të dorëzojnë një lutje me dëshmitë përkatëse dhe Komisioni i sapoformuar, në afat prej dy ditësh do t’i raportoj. Kjo vlen si për aplikuesit e ri, ashtu edhe për ata që janë në mesin 16.500 shtetasve që kanë dorëzuar kërkesë. Çulev tha se mos porositja me kohë e ekzemplarëve nga Gjermania është bërë qëllimisht nga ish-Ministri Spasovski, për të ngatërruar punët e MPB-së dhe për të rritur revoltën te qytetarët. Idenë për vula apostile në pasaportat e skaduar, Çulev e quan të vonuar për shkak se Kuvendi tashmë është shpërndarë. Megjithatë sipas tij ka edhe një opsion tjetër.

Njëra nga mundësitë është që pasi Kuvendi u shpërnda, Qeveria duhet të merr vendimin urgjent të vendosjes së vulës Apostile apo diçka tjetër, duke informuar shtetet tjera në rrugë diplomatike për vlefshmërinë e të njëjtave. Edhe momentalisht në pasaporta u vihen vula me emrin e ri kushtetues RMV, gjë që nuk është e paraparë në ligj, mendoj se Qeveria mund të sjell vendim për vazhdimin e vlefshmërisë së pasaportave në këtë mënyrë dhe mendoj se asnjë parti politike nuk do ta kundërshtonte këtë vendim sepse ka të bëjë me interesin e përgjithshëm të shtetit- deklaroi Naqe Çulev, Minstër Teknik i Punëve të Brendshme.

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion është duke shqyrtuar rastin nëse ka shkelje, sipas denoncimeve të Çulevit, për keqpërdorimet e tenderit të pasaportave për çka dyshohet se u krijua edhe kriza me mungesën e pasaportave. Aktualisht, rezervat e ekzemplarëve çdo ditë zvogëlohen. Sot kanë mbetur rreth 3400 pasaporta, ose 5 herë më pak sesa kërkesat e qytetarëve, ky bilanc pritet të thellohet deri më 24 mars, si datë e arritjes së 100 mijë pasaportave nga firma “Veridos” e Gjermanisë. Çulev nga ana tjetër dorëzoi në Prokurori dokumentacione për anulimin e 5 vendimeve të reja në MPB nga ana e Qeverisë teknike. Ai kërkon që të hetohen shkeljet ligjore të Oliver Spasovskit, që sipas tij ka keqpërdorur pozitën e Kryeministrit teknik.