Si në komunizëm, si në demokraci, kungulli mbi ujë

Shkruan: Shkëlzen Halimi

Ata që i shërbyen komunizmit me devotshmëri, gjithnjë duke i zbatuar parimet e “bashkim vëllazërimit” jugosllav, patën privilegje të shumta. Disa prej tyre, duke kryer shkollën e famshme të Kumrovecit (diploma e kësaj shkolle ishte më me peshë se çdo diplomë fakulteti) i shërbenin vetëm propagandës sllavo-komuniste për t’i thënë botës se shqiptarët janë të barabartë me të tjerët dhe se i gëzojnë të gjitha të drejtat. Ata që ishin antikomunistë dhe që ishin kundër kësaj ideologjie, e cila, në fakt, punonte për ta shkatërruar indin kombëtar shqiptar, ndonëse e paguan shtrenjtë, ishin të bindur se një ditë do të ndryshojnë rrethanat dhe se do të vija çasti kur do të dalë në shesh e vërteta shqiptare.
Dhe, u shembën muret ideologjike – komuniste, në portën e madhe trokiti demokracia dhe shqiptarët menduan se po merrnin frymë më lirshëm. Modeli i “bashkim vëllazërimit” (në Maqedoni) u zëvendësua me modelin e “bashkëjetesës”, ndërkaq privilegjet e komunistëve të regjur shqiptarë, çuditërisht, si me shkop magjik, u bartën te bijtë e bijat e tyre, por edhe te nipërit, të cilët, si dukur etërit e tyre, gëzojnë privilegje të shumta, duke u ndarë poste dhe vende pune atraktive. Shkolla e famshme e Kumrovecit u zëvendësua me librezën e partisë në pushtet, kurse pasardhësit e atyre që ishin kundër komunizmit dhe që e pësuan rëndë, kuptuan se fati me ta kishte bërë shaka, por edhe të vërtetën se kungulli i etërve komunist është i njëjtë kungull i bijve demokrat, i cili se atëherë, si tani, vazhdon të qëndrojë mbi ujë. Fatkeqësisht, u fundosën vetëm ëndrrat e atyre, me të cilët fati kishte bërë shaka.