Shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës asnjëherë nuk kanë qenë më të shqetësuar se tani!

Nga Nexhmedin Saqipi

Java e parë e ndërrimit të motmotit, nuk filloi me këmbë të mbarë, ashtu siç ishin urimet tona të mbushura me përgëzime e premtime: familjare, shoqërore, institucionale e partiake.
Ky Vit i Ri, është paksa më i pazakontë nga vitet, që i lëmë prapa, meqë Kosova jonë, po hyn një fazë të rrezikshme të vakumit institucional, shtetëror e diplomatik, Shqipëria jonë e cfilitur dhe e rënduar nga pesha e tërmeteve, vërshimeve dhe klimës jo të favorshme politike, ndërsa trojet jashtë shtetit amë: Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora jonë e dashur, asnjëherë nuk kanë qenë më të shqetësuara dhe më të hidhëruar se sa këto dy vitet e fundit: njëri që iku e tjetri që erdhi me sfida e probleme.
Nuk ka njeri në botë, që mund të jap ndonjë parashikim të qëlluar për këto, që po ndodhin në trojet shqiptare dhe për tjera ngjarje që na presin brenda këtij viti, për të nxjerr një përfundim të kënaqshëm për vizionin tonë, opsionet dhe strategjinë e përbashkët kombëtare, që na mungon.
Sapo lind një ide, pa e peshuar mirë, i dalim karshi, duke paragjykuar se nuk bënë si e tillë, nga e ka burimin, kush fshihet para saj e kështu me radhë?!

Opsionet
Kështu që, duke i ndërruar idetë, mendimet, opsionet, jemi këtu ku gjendemi, të shthurur, të copëtuar, të ndarë e të përçarë deri në skajshmëri, besa edhe me shpresa te thyera e ambicie të zhgënjyera.
Opsioni “Korrigjimi i kufijve problematik me shqiptarëve të ndarë në shumë shtete”, nuk bënë, nuk është i qëlluar, sepse para tij është “filan fisteku”, “filan partia”, “filan agjentura” etj, po ashtu nuk bënë edhe Minishengeni Ballkanik, sepse prapa tij, kush e di kush qëllon, e kush e di se çfarë fshihet pas tij? Po kështu nuk do të bëjnë edhe opsionet, që do të lindim brenda këtij viti, e që do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim.
Pse? Sepse ne shqiptarët nuk jemi në terezi! Mjerisht, kjo që po ndodh, mes nesh ka një sindrom, i cili po na përsëritet me vite të tëra dhe po na shoqëron si hije e zezë.
Pasojat e ndarjeve politike, lufta për pushtet, bajraktarizm, nepotizmi etj, janë defektet tona, po i heq populli, i cili i zhytur në zhgënjim me shpresa të thyera, e braktisë vendin e lindjes për të marrë botën në sy, për një jetë më të mirë.

Ideali
Sot shtetet shqiptare dhe viset e tjera etnike, më shumë se kurrë, po zbrazen në heshtje, po rrudhen dhe zvogëlohen, duke krijuar një imazh të keq, nga ai, i cili u sakrifikuam, terrorizuam dhe u flijuam për një ideal kombëtarë.
Dikur e kishim një arsye kur ankoheshim se Beogradi e Athina, po na pengojnë në ndërtimin e institucioneve shqiptare, e tani fajin kush e ka?! Sigurisht Evropa, apo jo?
Jo, nuk është Evropa, ajo që na pengon të duhemi mes vete, të bashkëpunojmë dhe t’i renditim hapat në opsionet për zgjidhjen e problemeve sot e nesër. Evropa, pavarësisht nga qëndrimet kundër nesh, ajo nuk na pranon me probleme, që kemi në “oborrin tonë” dhe në kufi me fqinjët.
Ne jemi ata që vendosim vet, se si t’i rregullojmë raportet shoqërore, politike dhe shtetërore. Në këtë drejtim, kuptohet se na presin sfida e probleme të trashëguara nga e kaluara e hasmërive e përçarjeve fisnore, krahinore e partiake, të cilat duhet t’i flakim në mënyrë, që mos të digjemi në flakën e tyre.
Veprimet
Viti që kemi hyrë, duhet t’i mobilizojë kokat tona, mendjet, qëndrimet e vendimet, për të vepruar si një trup i vetëm, përndryshe edhe 2020-ta, do t’na shkoj ashtu me urimet se do të bëhet mirë në vitet e ardhshme.
Duke ndjekur viti-vitin, ne po plakemi e bashkë me ne po na plaket edhe rinia, rritën e së cilës nuk po e shohim, nuk po e ndiejmë e as nuk po e shijojmë, ngase ajo për mangësitë tona, lëshimet, parregullsitë, po ikën, mbase për t’u kthyer në një kohë tjetër, më të përshtatshëm se kjo e tanishmja. Ka ardhur koha për të menduar dhe vepruar: drejt, mirë, qëndrueshëm, kuptohet bashkërisht, për të mos u bërë vonë, apo jo?!

(Autori është kryetar i Shoqatës së Gazetarëve “Etika” nga Lugina e Preshevës dhe koordinator i shoqërisë civile)