Kombëtarja Shqiptare U21 ka fituar edhe miqësoren e dytë përballë Uellsit, e zhvilluar pasditen e sotme në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit.

Kuqezinjtë e Alban Bushit e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe shënuan që në minutën e 8’ me anë të futbollistit të Partizanit, Esat Mala. Vetëm 6 minuta më vonë, ishte Bullari, që shënoi golin e dytë për Shqipërinë, duke vënë në kasafortë fitoren.

Rezultati u vulos në minutën e 68’, kur sulmuesi 18-vjeçar i Chelseat, Armand Broja, i hedhur në fushë në pjesën e dytë, shënoi në portën uellsiane golin e tretë për shpresat dhe golin e tretë të tij, në dy ndeshje me Kombëtaren U21.

Kuqezinjtë u përballën me Uellsin edhe dy ditë më parë, në një takim ku fituan me rezultatin 2-1, ndërsa protagonist ishte Broja, që shënoi të dy golat për skuadrën e Bushit.

Armand Broja luan me skuadrën U19 të Chelseat, dnërsa edhe në Shqipëri erdhi me Kombëtaren e kësaj grupmoshe, ku shënoi edhe 3 gola përballë Kosovës, duke bindur Bushin për një ftesë te U21.

Loading...