Sela: Do të bashkëpunojmë me atë parti që do t’i pranojë kërkesat tona

BDI punon për t’i përçarë shqiptarët. I porosis të mos e bëjë këtë! Ne do të bashkëpunojmë me atë parti politike e cila do t’i pranojë kërkesat tona, ka thënë lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në emisionin “Brifingu i mëngjesit” për “Slloboden peçat”.

“Unë duhet të sillem i përgjegjshëm si politikan. Për momentin kur del në votim dhe merr vota dhe legjitimohet ndonjë program dhe platformë politike, unë nuk jam më Ziadin Sela por programi dhe platforma e cila është zgjedhur nga votuesit. Nga ai kontekst, ne do të bashkëpunojmë me atë parti politike e cila do të pranojë programin dhe platformën tonë”, ka thënë Sela.

Sipas tij, është koha të thyhet monizmi nga sundimi 18 vjeçar i BDI-së dhe në plan të parë të vihen interesat e qytetarëve, rregullimi i shtetit juridik dhe të luftojmë kriminalitetin.

Ai ka thënë se nuk beson në reforma në gjyqësor me BDI-në brenda dhe se duhej më herët të kishte zgjedhje të parakohshme. Beteja me krimin konsideron se duhet të zhvillohet përmes “pastrimit në sistemin e gjyqësisë”.

Nga kjo parti theksojnë se janë të interesuar për koalicion parazgjedhor me Alternativën dhe BESËN.

“Deri tani kemi pasur dy takime me Kasamin dhe dy takime me Gashin. Nuk jam i sigurt se vetë nuk do ta fitojmë BDI-në, anketat e brendshme që i bëjmë vetëm te trupi votues shqiptare, tregojnë se pakëz udhëheqim para tyre. Megjithatë, duhet ta betonojmë fitoren. Qytetarët janë të dëshpëruar nga kjo status- kuo që është edhe një nga arsyet pse të rinjtë ikin”, ka deklaruar lideri i ASH-së, Ziadin Sela.