Nga: Zeynep Bilgehan
Hürriyet Seyahat

Mirësevini në Kosovë! Në njërin nga shtetet më të reja në botë! Kosova shtrihet në qendër të Gadishullit Ballkanik, me popullsi shumicë shqiptare dhe me pavarësi që daton nga viti 2008. Edhe pse shtet i ri, Kosova ka histori ku gjurmët datojnë që nga periudha e lashtë romake. Për ta kuptuar më mirë këtë vend, duhet edhe të kuptoni se nëpër çfarë periudhash ka kaluar. Prandaj, le ta bëjmë një udhëtim në histori.

Dardania, me banorët e saj dardanët, njihej si pjesë e Ilirisë. Pas dyndjeve sllave në këtë rajon, Kosova u bë pjesë e Principatës Serbe për një periudhë të shkurtër e cila do të pasohej nga përfshirja e Kosovës nën Perandorinë Osmane për 524 vjet, pra në vitet 1389-1913. Pas Luftërave Ballkanike dhe me largimin e Perandorisë Osmane, Kosova fillimisht iu bashkëngjit Mbretërisë Jugosllave. Pas Luftës së Dytë Botërore ajo bëhet pjesë autonome në kuadër të Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë së Josip Broz Titos. Me rrënimin e Bashkimit Sovjetik, të njëjtin fat pati edhe Jugosllavia dhe kjo periudhë ishte fillimi i një epoke të përgjakshme që arriti kulmin me luftërat. E para që pësoi rëndë ishte Bosnja dhe Hercegovina, vend ku lufta zgjati 3 vite dhe përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s. Pas disa vitesh plot përpjekje, lufta do e prekte edhe Kosovën që në atë kohë ishte nën qeverisjen e Serbisë. Kjo periudhë prapë rezultoi me luftë dhe prapë NATO ndërhyri dhe Kosova vihet nën administrimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Viti 2008 ishte viti kur Kosova shpalli pavarësinë.

Nga viti 2012 Kosova është nën “radarin” e turistëve

Pas këtyre përpjekjeve lindi një shtet i ri i gërshetuar në shumë kultura, një vend autentik dhe dinamik. Të parët që promovuan bukuritë e këtij vendi ishin pikërisht punonjësit e huaj të punësuar në organizata ndërkombëtare. Që nga atëherë shumëçka ka ndryshuar në Kosovë; dikur njihej si ‘vend i luftërave’ dhe kjo nofkë tashmë është zhdukur ngase shumë ndikuan fytyra të ndritura e të suksesshme siç janë Rita Ora dhe Dua Lipa! Ne e vizituam Kosovën në kuadër të serisë së tureve nga Tatilbudur me emrin ‘Udhëtoj me të famshmit’. Mirëpo, nëse shkoni në Kosovë, çka të bëni dhe çka do të gjeni? Nëse fillojmë një rrugëtim nga kryeqyteti Prishtina; do shihni të rinj dhe njerëz të lumtur. Kosova është vendi me popullsinë më të re ne Evropë. Ka një popullsi rreth 2 milionë dhe gjysma e saj janë nën moshën 25 vjeçe. Rruga kryesore quhet “Sheshi Nënë Tereze”. Ky shesh gjason shumë me atë Istiklal në Stamboll dhe anëve ka shumë kafene të vogla ku zakonisht në mbrëmje shtohet gjallëria. Ky shesh fillon nga katedralja e cila është e ndërtuar në vitin 2009 dhe mban emrin e të shenjtës Nënë Tereze. Ballkoni i kësaj katedraleje është shumë tërheqës ngase mund ta shihni Prishtinën nga perspektiva e zogut, aty mund të shihni shumë gjëra: statuja e ish-presidentit amerikan Bill Klinton për të cilin kosovarët kanë një respekt të jashtëzakonshëm, Kisha Ortodokse e cila filloi të ndërtohet gjatë luftës dhe nuk u finalizua asnjëherë, Biblioteka Kombëtare me një arkitekturë të çuditshme, obelisku që simbolizon pavarësinë e Kosovës, ‘Lindja e Re’ apo ‘Newborn’ si dhe “Heroinat” një monument i dedikuar për gratë që ishin viktima të dhunës seksuale nga ushtarët serbë. Në pjesën e vjetër të qytetit mund të gjeni objekte që janë trashëgimi nga periudha osmane përfshirë xhaminë e Fatihut, xhaminë Jashar, xhaminë e Çarshisë si dhe Sahat Kullën që daton nga shekulli XIX e ndërtuar nga Jashar Pasha. Megjithatë, nga aspekti historik mos prisni më shumë.

Familja që kujdeset për 500 vite për tyrben

Nëse dëshironi të shihni diçka “prej nesh” atëherë adresa e parë do ishte periferia e Prishtinës ku mund ta vizitoni Tyrben e Sulltan Muratit të Parë. Sulltan Murati në vitin 1389 konfrontohet me Mbretërinë Serbe dhe hapet front i luftës e cila njihet si Lufta e Kosovës të cilën e fitoi Perandoria Osmane, por Sulltan Murati i Parë vritet. Organet e brendshme janë të balsamuara dhe vendosura në këtë tyrbe. Në fakt, ky monument është më i vjetri i osmanëve në këto treva, por megjithatë ndër shumë vite ishte pa mirëmbajtje. Restaurimi i parë u realizua në shekullin XVII. Në vitin 1854 me urdhrin e Sulltan Abdulmexhitit, kjo tyrbe i besohet një familjeje e cila njihet si “Turbedar” dhe anëtarët e kësaj familjeje ende jetojnë atje… Nëse trokitni në derën e kësaj tyrbeje, do ju mirëpresë zonja Sanije e cila është 70 vjeçare. Zonja Sanije, është gruaja e Fahri Turbedarit. Burri i saj vdiq gjatë luftës në Kosovë dhe që nga ajo ditë kujdeset dhe mirëmban tyrben dhe një jetë tërë e kaloi në këtë vend. Zonja Sanije, thotë se “Shpirtin dhe zemrën i kam dedikuar kësaj tyrbeje”. Në vitin 2005 TIKA dhe Bashkësia Islame restauruan tyrben si dhe shtuan pjesën e muzeut. Kjo tyrbe vizitohet afërsisht nga 20 mijë njerëz në vit. Kjo pjesë nuk është e rëndësishme vetëm për turqit si pasardhësit e osmanëve… përballë pjesës së sipërme ndodhet monumenti “Gazimestan” në të cilën Serbët kujtojnë Luftën e Kosovës. Që nga periudha e Jugosllavisë ky monument ruhet nga ushtarët serbë. Me ketë dy monumente nga larg mund ta imagjinoni në mendje se si është zhvilluar lufta në atë pjesë.

Rrugë idilike, pamje romantike

Jo shumë larg Prishtinës një atraksion i veçantë është edhe Manastiri i Graçanicës. I ndërtuar në vitin 1321 nga Mbreti Serb Stefan Milutin ky manastir është i vendosur mbi një bazilikë, po ashtu është në listën e UNESCO-s për monumentet e jashtëzakonshme. Gracaniça, gjithashtu është edhe lokacioni më i madh në Kosovë me popullsi serbe. Meqë ky manastir ka rëndësi të veçantë dhe është i qasshëm për vizitorë, kur ka organizime të ndryshme mund të jetë i mbyllur. Në këso raste mos u zhgënjeni nëse dyert janë të mbyllura. Qyteza është shumë e ngrohtë dhe mund edhe të bëni ecje në këtë vend të këndëshëm. Jo shumë larg nga Graçanica ndodhet Parku Arkeologjik Ulpiana i cili daton nga kohë të lashta. Është gjithashtu shumë e këndshme për të shkuar nga një vend në tjetrin në Kosovë. Meqë jo të gjitha rrugët që lidhin qytetet janë autostrada, ju mund bëni një udhëtim piktoresk duke kaluar nëpër rrugët përmes fshatrave. Malet, përrenjtë, fushat dhe livadhet mund të frymëzojnë pikturat e Rilindjes. Një tjetër gjë që do të vëreni në këtë peizazh do të jenë shtatoret e dëshmorëve. Kosova nuk ua përplas syve luftën kur e vizitoni, por as nuk ju bën ta harroni atë që ndodhi këtë vend. Monumentet dhe shtatoret për dëshmoret e tyre kosovarët i mirëmbajnë dhe janë gjithnjë të mbuluar me lule. Në rrugën tonë për në Prizren u ndalëm në dy lokacione. Në Pejë (İpek emri në Turqisht) dhe në Gjakovë. E rrethuar me shumë gjelbërim, Peja është një vend që tërheqë adhuruesit e sporteve malore. Vlen të theksohet se edhe birra më e njohur në Kosovë prodhohet në këtë qytet. Ndërsa Gjakova, me rrugët e saj të ngushta dhe me trotuaret me kubëza duhet vizituar, si dhe çarshia e vjetër e saj. Kjo qytezë paska qenë ndër vendet e shquara për njerëzit e ndritur të Kosovës. Mirëpo, ky vend po ashtu është ndër qytetet me rastet më të rënda të shkaktuara nga lufta në Kosovë. Gjersa vizitoni dyqanet e produkteve prej druri, ju gjithashtu mund të gjeni monumente të ndërtuara për viktimat e luftës.

Në Prizren, udhëtojmë në kohë

Qyteti më i bukur dhe më i veçantë i Kosovës është Prizreni. Imagjinoni qytezat Italiane me arkitekturë gotike ku dora e njeriut nuk ka ndërhyrë ndër shekuj… Prizreni është versioni osman i tyre! Ju mund të udhëtoni në periudhën osmane këtu me shtëpitë e vjetra turke dhe rrugët e ngushta që nuk mund t’i gjeni më në Anadoll. Së pari kryeni detyrën e parë e cila është t’i vizitoni vendet që duhen vizituar; Kisha e Shën Marisë (ose Xhuma Xhamia), e ndërtuar në shekullin e XIX, e cila është nën mbrojtjen e UNESCO-s, Muzeu i Arkeologjisë, i cili u përdor si një banjë nga shekulli i XV deri në vitin 1913, Katedralja e Shën Gjergjit, Kalaja e Prizrenit, Ura e Gurit, Xhamia Arasta, Xhamia e Sinan Pashës…e më pas shëtisni nëpër Prizren për qejf. Humbni në rrugët e tij, në të njëjtën kohë dëgjoni thirrjen e ezanit dhe kambanat e kishës. Përkundër të kaluarës së brishtë, xhamitë dhe kishat janë ende krah për krahu dhe në plot harmoni. Prizreni është qyteti më i madh më popullsi të etnisë turke. Çdokush flet turqisht; secila tabela informuese është në gjuhën shqipe, serbe dhe atë turke. Përballë Xhamisë së Sinan Pashës është çajtorja “Menta” ku mund të pini çaj. Më pas lëshohuni në sheshin kryesor “Shadërvan”. Ikonike është pirja e ujit në kroin e sheshit, sipas legjendës, do të martoheni në këtë qytet apo do t’ju kthejë rruga prapë për të ardhur! Të bukura janë edhe kafenetë përgjatë Lumbardhit. Për drekë provoni ushqimin tek “Beska”. Në shesh është byrektorja “Sarajeva” e cila është shumë simpatike. Ndërsa për të darkuar vizitoni restorantin “Tiffany” i cili gjendet pas kishës. Ushqimet lokale janë të mrekullueshme, ambienti i tij ngjason me atë të Alaçatıse. Ndërsa çmimet janë shumë më të volitshme sesa në Alaçati.

Domethënia e flamurit

Flamuri zyrtar i Kosovës përfshin një hartë të verdhë të Kosovës në një sfond blu dhe gjashtë yje. Ngjyra blu përfaqëson Bashkimin Evropian që mbështet Kosovën, harta e verdhë pasurinë e saj dhe gjashtë yjet përfaqësojnë 6 etnitë që jetojnë në Kosovë; shqiptare, serbe, boshnjake, turke, rome dhe gorane. Mirëpo këtë flamur e gjeni vetëm në objektet institucionale. Meqenëse kosovarët ndjehen afër Shqipërisë, flamuri shqiptar me shqiponjë me dy koka varet kudo në një sfond të kuq. 90 përqind e popullsisë janë shqiptarë, 4 përqind janë turq dhe 3 përqind janë serbë.

Çfarë duhet të hani, çfarë të blini?

Makiato e Kosovës në vitet e fundit është bërë simbol botëror. Mos u ktheni pa e provuar. Nga kuzhina turke mund t’i veçojmë qoftet dhe byrekun. ‘Pitalka’ është një kryevepër. Shijoni birrat vendore dhe verërat e prodhuara në rajonin e Rahovecit. E vetmja gjë që nuk do të gjeni në Kosovë do të jetë suveniret. Pra, është mirë që të shijoni çdo gjë atje dhe të tregoni kur të ktheheni!

Artikulli në turqisht, i botuar në Hurriyet

Loading...