Rexhepi në “Rruga Drejt…”: Koalicioni me ASH-në, punë e kryer

Në emisionin “Rruga Drejt” që transmetohet sonte në Alsat, sekretar i përgjithshëm i “Alternativës”, Skender Rexhepi-Zejd, ka deklaruar se koalicioni me “Aleancën për Shqiptarët” është punë e kryer dhe se i njejti pritet të zyrtarizohet në 3 ditët e ardhshme. Ai ka precizuar se brenda këtij bashkëpunimi parazgjedhor nuk do të përfshihet Lëvizja Besa. “Shumë shpejtë, po them jo më shumë se ekskluzive por brenda 2-3 ditësh do të dihet gjithçka. Konsiderojmë që gati është kryer dhe jemi në rrugë shumë të mbarë. Momentin që vijmë aty, fillimisht do të kalohet në organet partiake dhe do të dilet në publik. Gati se është kryer, por kush me kë? Unë në çdo deklaratë dhe paraqitje televizive ka qenë për koalicionin mes Alternativës dhe Aleancës” tha Skender Rexhepi, sekretar i përgjithshëm i Alternativës. Këto pohime të Skender Rexhepit, nuk ka dashur t’i komentojë Kastriot Rexhepi nga Lëvizja BESA, përderisa nuk konfirmohen nga Aleanca për Shqiptarët. “Në si Lëvizje Besa kemi qenë në bisedime për bashkëpunimin trepalësh. Pasi të mbyllet ai kapitull është dashur të vazhdojnë bisedimet për koalicion dypalësh me hollësi, me komisione etj. Neve nuk kemi pasur bisedime për modalitet. Mua më habit deklarata e Rexhepit. Nëse Aleanca për Shqiptarët vazhdimisht ka bërë thirrje për koalicion trepalësh, ndërsa nga ana tjetër ka zhvilluar bisedime me një subjekt ndaras, kjo nuk është aspak korrekte. Nuk do të doja të komentoja, derisa ASH-ja nuk e konfirmon një gjë të tillë”, tha Kastriot Rexhepi, nënkryetar i Lëvizjes Besa.