Qeveria nuk pranon amandamentet e deputetëve të Lëvizjes BESA

Deputetët e Lëvizjes BESA, Teuta Bilalli dhe Fadil Zendeli dorëzuan amandamente në komisionin për financa dhe buxhet lidhur me propozim buxhetin e vitit 2020.

Amandamentet e Lëvizjes BESA kishin të bëjnë më ndërhyrjen në buxhet për sigurimin e kushteve elementare për jetesë në komunat shqiptare, siç janë vendosja e filtrave për ujërat e zeza në komunën e Zhelinës, riparimi i rrjetit të ujësjellësit në Komunën e Tetovës, rregullimi i shtratit të Lumit Shkumbim në komunën e Tetovës dhe rikonstruimi i rrugës Zdunje-Jellovce e Epërme në komunën e Gostivarit.

Edhe pse këto amandamente shprehin kërkesa elementare për jetesë, të njejtat hapën debat të ashpër në komision dhe u kundërshtuan nga shumica, e që ironia të jetë më e madhe u kundërshtuan nga shumica shqiptare që janë në pozitë dhe duhet të mbrojnë të drejtat e votuesve të tyre.

Deputetja e Lëvizjes BESA, Teuta Bilalli qëndroi fortë në arsyetimin e kërkesave të kësaj partie, por që fatkeqësisht zëvendësministrja e financave Shirete Elezi dhe zëvendës anëtari i komisionit për financa dhe buxhet Ejup Alimi e kundërshtuan dhe nuk e panë të arsyeshme ndërhyrjen në propozim buxhetin për vitin 2020, ndërhyrje kjo që do të përmisonte sado pak kushtet elementare për jetesë në komunat me shumicë shqiptare.