Edhe pse i dhënë si rrallëkush tjetër pas leksikut popullor, prof. A. Zymberi e kishte kuptuar se në shekullin e ri fjala e rrallë e mbledhur nga goja e popullit nuk ishte më një nga burimet kryesore të pasurimit të leksikut të shqipes siç kishte qenë deri në kohën kur u hartuan “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” në Tiranë dhe fjalorët shqip-serbokroatisht e serbokroatisht-shqip në Prishtinë

Rami Memushaj
Prof. Abdullah Zymberi është ndër qëmtuesit më të përkushtuar të fjalës së rrallë shqipe. Ky Kristoforidh i shek. XX për 40 vjet me radhë nuk la fjalë të re të dëgjuar nga goja e njerëzve të thjeshtë të popullit pa e hetuar mirë e mirë për t’i gjetur kuptimin e saktë e për ta hedhur pastaj në bllokun e tij. Nuk e teprojmë po të themi se asnjë prej autorëve të fjalorëve krahinorë të botuar deri më sot, nuk është marrë kaq gjatë me leksikun popullor. “Rrahaderës i madh”, siç e ka cilësuar prof. Qemal Murati, këmbëngulës e i palodhur në qëllimin që i kishte vënë vetes, ai shkeli 45 fshatra të Kosovës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë, ku intervistoi 190 informantë, nga të cilët mblodhi një lëndë të pasur gjuhësore – fjalë të leksikut të përgjithshëm, shprehje frazeologjike dhe toponime. Këtë lëndë të pasur leksikore e hodhi në veprat “Fjalorth i fjalëve të rralla” (1979, 199 faqe), “Leksiku bujqësor e blegtoral i të folmeve shqipe të Malit të Zi” (1996, 293 faqe) dhe në “Fjalorin popullor” (2014, 396 faqe). “Fjalori popullor” me 20 mijë zëra, që është vepra e tij e jetës, përbën një kontribut të çmuar jo vetëm për leksikografinë shqiptare, por edhe për dialektologjinë, meqë fjalët dhe frazeologjizmat janë lënë në transkriptimin fonetik, ashtu siç i ka dëgjuar autori nga goja e folësit. Ndër to, veç fjalëve të përbashkëta për të gjitha të folmet e shqipes, leksikografi do të gjejë edhe mjaft fjalë të rralla, që mund të përfshihen në fjalorin shpjegues të gjuhës sonë.

Në këtë kumtim nuk do të merremi aq me kontributin e prof. A. Zymberit në mbledhjen e leksikut popullor dhe as me analizën e lëndës së fjalorëve të tij, po me mendimin e tij lidhur me burimet e pasurimit të fjalësit të fjalorit shpjegues të shqipes. 

Edhe pse i dhënë si rrallëkush tjetër pas leksikut popullor, prof. A. Zymberi e kishte kuptuar se në shekullin e ri fjala e rrallë e mbledhur nga goja e popullit nuk ishte më një nga burimet kryesore të pasurimit të leksikut të shqipes siç kishte qenë deri në kohën kur u hartuan “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” në Tiranë dhe fjalorët shqip-serbokroatisht e serbokroatisht-shqip në Prishtinë. Prandaj, në kumtesën “Me ç’sasi fjalësh po hyn fjalori i gjuhës së sotme shqipe në vitin 2000”, të mbajtur në Seminarin e Prishtinës, ai thotë se “për të shtatuar fjalori i ardhshëm i shqipes, duhet:

1. Të vilen deri në pikën e fundit të gjithë fjalorët dialektorë, sidomos i Xhordanos, Gazullit, Kërstiqit e Jani Nushit e edhe të tjerë.

2. Të vilen të gjitha revistat e gazetat në të cilat ka punime dialektore (leksikore).

[….]

3. Të bëhet vjelja e veprave letrare, sepse në to ndesh njeriu në plot fjalë o të krijuara prej shkrimtarit, o të marra prej rrethit ku jeton e vepron shkrimtari…

[….]

5. T’u bihet kryq e tërthor të folmeve të shqipes, sidomos të folmeve të arbëreshëve të Greqisë e Italisë për të gjetur edhe shumë shkimëza fjalësore, që kanë mbetur atje prej kohësh pa u mbledhur prej leksikografëve shqiptarë.

6. Me rasën e hartimit të fjalorit të madh të shqipes do të ishte mirë që të formoheshin disa qerthuj leksikografësh nga të gjitha trojet shqipfolëse, në mënyrë që të dalë sa më sasior.”

Vetë renditja e burimeve, duke pranuar si kryesore për mbledhjen e leksikut fjalorët krahinorë dhe veprat e shkruara, tregon se prof. A. Zymberi kishte arritur në përfundimin se në punën për pasurimin fjalorit të shqipes leksikografët duhet t’i drejtohen ligjërimit të shkruar. Ndërsa “shkimëzat fjalësore” të mbetura pa u mbledhur, përbënin për të një burim të dorës së fundit. Dhe në këtë përfundim arriti jo dikush që nuk kishteshkelur në terren, po njeriu që mbledhjes së fjalës së rrallë i kushtoi jetën.

2. Pra, burimet kryesore të pasurimit të leksikut të gjuhës shqipe në ditët tona janë burimet e shkruara, që i përmend prof. A. Zymberi në pikat 1, 2 dhe 3 të kumtesës së cituar më sipër.

Fjalorët krahinorë dhe punimet kushtuar leksikut dialektor përbëjnë një burim nga mund të nxirret lëndë për fjalorin shpjegues të shqipes. Prej tyre, pas një shoshitjeje të kujdesshme, do të gjenden fjalë që mund të përfshihen në fjalorin shpjegues, por vetëm nëse emërtojnë një send a koncept që nuk ka emër ose për të cilin shqipja përdor një fjalë të huaj. Në rast se fjala krahinore është sinonim i një fjale të fjalorit shpjegues, atëherë duhet parë mos emërton një veçori të një sendi a koncepti për të cilën nuk ka emër në fjalor. Në rast se nuk përmbush asnjërin nga këto kushte, atëherë kjo fjalë nuk mund të përfshihet në fjalorin shpjegues. P.sh., duke shfletuar shkronjën A të “Fjalorit popullor”, kemi nxjerrë si të mundshme për t’u përfshirë në fjalorin shpjegues vetëm 12 fjalë: abal “insekt me brirë”, oborrëse (aborrse)“fshesë për oborrin”, almisore “grua që punonte me almise”, araz “arithi”, araven “bar që rritet brenda në tokë”, argaç“vend ku flenë bagëtia”, argataz “kryej punën e argatit”, arushaz “si arusha”, asqysh “kurrsesi”, avlorë “dardhë e shijshme që zbutet para se të vilet”, avlleshë “yshtëse”, avllor“yshtës”. Po edhe nga këto, abal, araven dhe avlorë nuk janë me të gjitha semat e nevojshme për t’i identifikuar (do të duhej dhe emërtimi latin), kështu që duhen lënë jashtë dhe, vetëm pasi të verifikohen sërish në terren e të identifikohen nga botanisti, mund të përfshihen, sigurisht nëse nuk dalin sinonime me emërtime që gjenden në fjalor; për araz, argatazarushaz duhet siguruar a janë të së njëjtës gjedhe me bubaz, shaz, thonjaz që i kanë fjalorët, apo duhen shkruar arazi a arasargatazi a argatasarushazi a arushas.

3. Me shembjen e sistemit totalitar, media shqiptare e të gjitha trojeve njohu një zhvillim të vrullshëm, gjë që ka bërë që veprimtaria ligjërimore me shkrim dhe me gojë të shtohetnë mënyrë eksponenciale. Sot, në hapësirat ku flitet shqipja,ka rreth 120 radiostacione, 7 televizione publike kombëtare, 7 televizione private kombëtare, 124 televizione private vendore, 8 platforma e operatorë televizivë që ofrojnë 235 kanale, si dhe 92 televizione kabllore; dhjetëra portale e faqe interneti; mbi 300 shtëpi botuese; botohen rreth 300 gazeta e revista dhe mijëra libra në vit. Këtyre u duhen shtuar veprimtaritë e shumta ligjëruese gojore – ligjëratat universitare, ligjëratat në tubime e veprimtari shoqërore e politike, fjalimet në Kuvendet e të tre shteteve etj. E gjithë kjo veprimtari ligjërimore nuk mund të kryhet pa një leksik të pasur të të gjitha fushave dhe nevoja ka bërë që, krahas huazimeve, të krijohen mijëra e mijëra fjalë të reja kryesisht të leksikut abstrakt (fjalë të leksikut të përgjithshëm dhe terma). 

Në shkrime rreth kësaj çështjeje është shprehur mendimi se veçanërisht leksiku i gjuhës standarde nuk po e përballon dot trysninë e gjuhëve të huaja. Ky mendim, në të cilin nxjerr kokë mëtimi i kundërshtarëve të standardit që flasin për varfëri të tij, nuk është i mbështetur. Duke filluar nga vitit 2008 jemi marrë me vjeljen e fjalëve të reja nga fjalorë dygjuhësh, nga shtypi e librat e rinj dhe kemi arritur që në “Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe” (2011) të përfshinim rreth 70 mijë njësi leksikore, dy herë më shumë nga Fjalori i 1980, kurse në ribotimin e fundit që po përgatitet për t’u dërguar në shtyp, numri i njësive leksikore po e kalon shifrën80 mijë. Pra, 10 mijë fjalë të reja në 8 vjet, çka do të thotë se shqipja po pasurohet me 3,5 fjalë të reja në ditë. Dhe po të kishte një vjelje shteruese të literaturës, kjo mesatare ditore do të ishte edhe më e madhe Ndër këto fjalë të reja ka huazime, po shumica dërrmuese e tyre janë fjalë të shqipes, kryesisht të prejardhura e të përbëra. Më shumë janë pasuruar klasa e emrave abstraktë të cilësisë më -i, -ri, -sindajfoljet më -isht,emrat asnjanës prejfoljorë që emërtojnë procese, kategori fjalësh në të cilat shqipja është treguar deficitare në krahasim me gjuhët e huaja; janë shtuar shumë edhe fjalët e përbëra, të cilat tregojnë prirjen e fortë të shqipes drejt sintetizmit. Ky ritëm i pasurimit të leksikut provon se gjuha jonë i ka mënyrat e mjetet fjalëformuese, i ka edhe njësitë e krijuara me to për t’u përballur me trysninë e gjuhëve me të cilat është në kontakte kulturore intensive. 

4. Intelektualizmi i leksikut të shqipes, si aspekt i modernizimit gjuhësor, duke përfshirë në të fjalët e leksikut abstrakt, është kthyer në një detyrë urdhëruese për leksikografinë shqiptare. Shqipja nuk është vetëm gjuha e barinjve dhe e blegtorëve, po edhe gjuha e shtresës së shkolluar që punon në fushën e ekonomisë, të mbrojtjes, të kulturës, të shkencës e të teknikës etj. dhe leksiku i ri i krijuar në këto fusha duhet pasqyruar në fjalor. Por kjo nuk mund të bëhet pa një korpus të shqipes së shkruar. Mirëpo për këtë çështje departamentet e gjuhës shqipe të universiteteve tona dhe institutet e gjuhësisë as e kanë vënë ujët në zjarr, ndërkohë që institute të huaja dhe studiues që merren me gjuhën shqipe janë duke punuar për vjeljen e leksikut të gjuhës së shkruar. Ka disa korpuse gjuhësore, si kartoteka elektronike e leksikut arbëresh në Universitetin e Kozencës;korpusi i gjuhës së autorëve të vjetër i një grupi studiuesish pranë Universiteti të Mynihut; Korpusi kombëtar i Shqipes (Albanian National Corpus) i Institutit të Studimeve Gjuhësore të Shën Petërburgut; korpusi prej 120 milionë fjalësh i dr. Besim Kabashit në Universitetin e Erlangen-Nyrenbergut. Një punë e lavdërueshme për vjeljen e fjalëve të reja nga burimet e shkruara është bërë nga Ali R. Berisha, me“Fjalorin e fjalëve të reja”, me lëndë të periudhës 1976–2006.

Rrugën për të arritur te një fjalor i madh i shqipes e tregonprof. A. Zymberit kur thotë se “do të ishte mirë që të formoheshin disa qerthuj leksikografësh nga të gjitha trojet shqipfolëse, në mënyrë që të dalë sa më sasior”. Vërtet, hartimi i një fjalori të tillë është punë që nuk e përballojnë dot 2-3 leksikografë, ajo kërkon ekipe të mëdha. Dhe kur këto ekipe mungojnë në institutet e gjuhësisë, rruga që mbetet është ajo e treguar nga profesori ynë: bashkëpunimi midis departamenteve të gjuhës shqipe dhe instituteve të gjuhësisë. Institutit të Gjuhësisë në Tiranë do t’i mbetej si detyrë arritja e një marrëveshjeje për bashkimin e këtyre korpuseve në një të vetëm dhe bashkërendimi i punës midis autorëve e që do të përfshiheshin në këtë projekt, duke bërë edhe kualifikimin e tyre si leksikografë. 

Në pamundësi të një marrëveshjeje, mendojmë që pranë njërit nga institutet ose pranë një departamenti të shqipes, duhet ngritur një bërthamë kërkimore me gjuhëtarë e informatikanë të rinj, të pajisur me bazën e nevojshmekompjuterike, të cilët, të udhëhequr nga dr. Kabashi, do të punonin për zgjerimin e korpusit të tij, në mënyrë që për dy-tre vjet të arrijë të paktën në dyqind milionë fjalë, minimumi i fjalëve që duhen për hartimin e fjalorit.

Loading...