Presidenti Stevo Pendarovski priti në Vodno kryeministrin Zaev, takimi i parë ky që pas zgjedhjes së Pendarovskit në postin e presidentit. Në takim është biseduar për bashkëpunimin mes dy Institucioneve, Presidencë-Qeveri. Në njoftimin e kabinetit të presidentit thuhet se Pendarovski e Zaev kanë biseduar edhe për nevojën e paraqitjes së tyre të përbashkët në plan ndërkombëtar dhe intensifikimin e procesit të reformave për realizimin perspektivës evropiane të vendit dhe përmirësimin e standardit të qytetarit.
Pendarovski nga ana tjetër ka filluar të kompletojë kabinetin e tij. Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski nga java e ardhshme do të transferohet në Vodno ku do të ushtrojë postin e sekretarit të përgjithshëm në Presidencë. Akoma nuk dihet se kush do të zë vendin e Boshnjakovskit në Qeveri si zëdhënës. Ekzekutivi në mbledhjen e fundit ka emëruar Dane Taleskin koordinator i ri kombëtar për NATO-n, post ky që më herët i takonte tanimë presidentit Stevo Pendarovski. Nga ana tjetër ueb-faqja e Presidentit ka filluar të përditësohet. Edhe pse nuk ka shumë materiale apo fusha që mund të hapësh, në ballinë qëndron emri dhe funksioni i Stevo Pendarovskit, në tre gjuhë, edhe atë në gjuhën maqedonase, gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze.