Presidenti i ri i Kroacisë është nip ustashi

Diplomat, vëzhgues zgjedhjesh, kryeministër i Kroacisë, këshilltar i Edi Ramës, më shumë populist se majtist i mirëfilltë. Një portret i Zoran Milanoviqit, presidentit të ri të Kroacisë.

ENVER ROBELLI

Në fund të vitit 2017 mediat kroate, disa prej tyre jo pa shpoti, njoftuan se Zoran Milanoviq ka gjetur një vend të ri pune. Në Tiranë. Ishte bërë këshilltar i Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë. Të dy, pra shokët Edi dhe Zorani, kanë qejf të bartin etiketa të socialdemokratit, por të thuash se këta të dy janë politikanë të mirëfilltë socialdemokratë është si të thuash që Donald Trumpi është socialist. «Kroacia është vend i madh dhe shembull në rajon. Zoranin e kam mik të shkëlqyeshëm dhe këshillat e tij janë përherë të mirëseardhura», tha Rama atëbotë. Pas emërimit të Milanoviqit në postin e këshilltarit qëndronte mbase dëshira e Ramës që të përfitonte nga këshillat e kroatit në rrugën e integrimeve evropiane. Milanoviq ka një përvojë në këtë drejtim. Ai u bë kryeministër i Kroacisë në vitin 2011, në periudhën vendimtare para se vendi të anëtarësohej në Bashkimin Evropian më 1 korrik 2013. Në vitin 2016, socialdemokratët dhe Milanoviq ranë nga pushteti. Milanoviq u tërhoq edhe nga partia.

Të dielën Milanoviq arriti një kthim triumfal në skenën politike të Kroacisë. Ai e mposhti presidenten aktuale Kolinda Grabar-Kitaroviq. Në katër vjetët e ardhshëm kryetari i ri i vendit do të quhet Zoran Milanoviq. Në raundin e parë, para dy javësh, Milanoviq doli i pari, por supozohej se në raundin e dytë e djathta kroate do të bëhej tok bashkë për të penguar Milanoviqin. Kjo nuk ndodhi, mbase edhe për shkak se Kolinda Grabar-Kitaroviq kohëve të fundit bëri gabim pas gabimi. Për të marrë votat e përkrahësve të kryetarit të Zagrebit, Milan Bandiq, i cili dyshohet për korrupsion masiv, ajo deklaroi se edhe po u dënua Bandiq do të shkonte ta vizitonte në burg dhe do t’i dërgonte edhe tortë. Këto deklarata kanë irrituar shumë kroatë, sepse korrupsioni konsiderohet ende si problem shumë i madh i vendit më të ri anëtar të BE-së. Në një mesazh për votuesit ajo bëri apel që në raundin e dytë të votojnë për numrin një në listë. Por numrin një në listë e mbante rivali i saj Zoran Milanoviq. Te e majta kroate, por edhe te liberalët dhe te pakicat shkaktoi neveri vardisja e Kolinda Grabar-Kitaroviq ndaj ekstremistëve të djathtë. Në nëntor ajo e përkujtoi Slobodan Pralakun si patriot. Jo si kriminel lufte, i cili në vitin 2017 bëri vetëvrasje para Tribunalit të Hagës, ndërsa po shpallej aktgjykimi. Grabar-Kitaroviq u shqua negativisht edhe për deklaratë nxitëse ndaj Bosnjës dhe myslimanëve të vendit fqinj. Ajo u bë objekt humori kur tha se aq keq ka qenë gjendja në Jugosllavi, saqë ajo në fëmijërinë e saj nuk kishte as jogurt për të ngrënë. Nga mesi i viteve ’80 Grabar-Kitaroviq shkoi në Amerikë, ku kreu shkollën e mesme – një privilegj i rrallë.

Pasardhësi i saj në post, Zoran Milanoviq, nga një pjesë e votuesve shihet si “e keqja më e vogël”. Për të fituar votat e së djathtës, Milanoviq prezantoi edhe diçka nga bodrumi familjar: gjyshin e tij si ustash në Luftën e Dytë Botërore. Milanoviq u lind më 1966 në Zagreb, ku kreu filloren, gjimnazin dhe fakultetin e drejtësisë. Pas punësimit në sistemin e drejtësisë më 1993 kaloi në Ministrinë e Jashtme të Kroacisë, ku kreu detyra të ndryshme: këshilltar i misionit kroat në NATO dhe BE, vëzhgues zgjedhjesh në Kaukaz, zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Pas vdekjes së kryetarit të socialdemokratëve Ivica Raçan, Milanoviq u zgjodh kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kroacisë. Aferat e mëdha korruptuese të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) e sollën Milanoviqin në pushtet. Por Milanoviq, po ashtu, i ka mbrojtur shokët e tij të partisë kur këta e kanë vjedhur vendin, mes tyre edhe Milan Bandiqin, i cili ndërkohë u largua nga Partia Socialdemokrate e Kroacisë.

Si president, Milanoviq nuk do të ndryshojë shumë kursin kritik të Zagrebit ndaj Serbisë, por pritet që Milanoviq të jetë më i kujdesshëm ndaj pakicës serbe në Kroaci dhe gjithsesi prej tij nuk priten deklarata që amnistojnë liderët ustashë. Një mesazh i tij i rëndësishëm në fushatën elektorale ka qenë: “Luftërat kanë përfunduar”.

Kroacia ka probleme të tjera. Përkundër hyrjes në BE, mijëra kroatë kanë ikur nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës. Kryeministri Andrej Plenkoviq i tha këto ditë “Financial Times-it” se ikja e njerëzve po shndërrohet në problem pothuaj ekzistencial për Kroacinë. “Çdo vit po humbim 15 mijë, 16 mijë njerëz vetëm nga fakti se kemi më shumë vdekje sesa lindje”. Për t’i mbajtur në vend të rinjtë dhe për të ndihmuar në krijimin e familjeve, Kroacia i ka liruar nga tatimet personat deri në moshën 25-vjeçare; po ashtu të punësuarit deri në moshën 30-vjeçare paguajnë dukshëm më pak tatime. Të gjitha këto më shumë janë masa kozmetike. Plaçkitja e vendit nga elitat politike i ka dëshpëruar aq shumë kroatet dhe kroatët, saqë shumë prej tyre nuk shohin ardhmëri në vendin e tyre.