Prej kur u dobësua BDI-ja në vitin 2016, asnjë shqiptar nuk është vrarë në skenare policore

Shkrun: Safet Xhelali
Pas vitit 2002, skenaret e dyshimta policore e gjyqësore ku shqiptarët vriteshin e dënoheshin me dënime të përjetshme, ishin bë dukuri e zakontë e çdo mandati qeveritar e parlamentar. Kjo dukuri mori hov të veçantë pas vitit 2006, kur në pushtet erdhi VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit, e vazhdoi edhe pas vitit 2008, kur u bënë bashkë “fituesi me fituesin”, respektivisht VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja.
E gjithë kjo mori fund në vitin 2016. Skenaret policore e gjyqësore, ku shqiptarët ishin viktima, u ndërprenë si me shkop magjik, që kur votuesit shqiptar e përgjysmuan “takatin” e BDI-së, nga 20 në 10 deputetë. Lëre që nuk pati më skenare me viktima shqiptare e me të arrestuar, por një pjesë e skenareve që kishin ndodhur më herët si Sopoti e Monstra, filluan të zgjidhen në mënyrë pozitive. Kjo flet mjaft dhe tregon qartë se kujt i kanë konvenuar skenare policore e gjyqësore ku viktima janë shqiptarët (edhe pse po ua dimë emrin, nuk po ua përmendim deri sa të lirohet gjyqësori nga ndikim,et politike).
Tani mbetet edhe një periudhë e shkurtër, e rrezikshme deri në zgjedhjet e 12 prillit. Ministria e Punëve të Brendshme sërish udhëhiqet nga ministër i VMRO-DPMNE-së dhe nga zëvendësministër i BDI-së, çift partiak nga i cili shqiptarët kanë përvojë mjaft të keqe kur e kanë udhëhequr policinë.
Shpresojmë dhe i inkurajojmë që të mos tentojnë ndonjë skenar të tillë tani, kur jemi në prag të zgjedhjeve të reja. Kurse shqiptarët tashmë e kanë të ditur se cilën parti politike duhet ta dobësojnë që të mos ketë më kurrë kësi lloj skenarësh, kurse ato që kanë ndodhur në të kaluarën të marrin kthesë pozitive.