Artan Iljazi (20 vjet, 1.87cm), portieri i shumëtalentuar nga Kumanova, ka debutuar në portën e Shkëndijës në ndeshjen e fundjavës kundër Pobedës në Kocani. Debutimi ka qenë edhe më i bukur, pasi kuqezinjtë shënuan fitore të thellë me rezultat 4-1.
“Gardiani”i ri në një intervistë për gazetën “Lajm” rrëfen emocionet e atij takimi, kënaqëësinë e të qenurit titullar, konkurrencën në ekip, ndjenjën me qenë pjesë e Shkëndijës dhe pritjet e tij në ndeshjet e ardhshme europiane.

Lajm:Si e përjetuat debutimin në portën e Shkëndijës kundër Pobedës në Koçani?
ILJAZI:Për mua ishte ndjenjë shumë e mirë që të debutojë në një ndeshje zyrtare me Shkëndijën. E dimë se është një skuadër që ka fituar titullin e kampioni dhe fakti që mora minuta në një sezon kur ekipi del kampion më bën shumë krenar dhe të entuzazmuar që jam pjesë e këtij klubi. Debutimi ishte një gjë shumë e mirë dhe jam munduar që gjatë gjithë kohës të jap më të mirën për të falënderuar stafin teknik për besimin e dhënë.

Lajm:A patët emocione në ndeshje?
ILJAZI:Normal që emocionet ishin të pranishme pasi që ishte ndeshja ime e parë në një ndeshje zyrtare me Shkëndijën. Por, realisht emocione më të theksuara pata në minutat e para të ndeshjes dhe më pas si shkonte ndeshja isha i koncentruar për të dhënë më të mirën, hiqej ndjenja e debutimit derisa luan. Pasatj edhe rezultati shkoi ashtu sic deshëm dhe patëm rastin që maksimalishtë ta shijojmë këtë fitore.

Lajm:A do ta mbani në mend këtë ndeshje?
ILJAZI:Patjetër. Çdo debutim mbahet mend nga çdo sportist dhe kur kjo bëhet me fitore zbukurohet ndjenja që të jep paraqitja e parë në një ndeshje zyrtare me ekipin senior. Kjo ndeshje do të mbetet gjithmonë në mendjen time, sepse pata mundësinë të debutoj te Shkëndija kampione. Jam krenar që jam pjes e këtij klubi dhe për më shumë dhashë kontribuit tim, edhe pse titulli tashmë ishte i vendosur.

Lajm:Debutimi ishte me fitore. A ju ka kënaq kjo edhe më shumë?
ILJAZI:Është ndenjë e bukur që të kesh para vetës një paraqitje të mirë me ekipin më të mirë të vendit. Dhe, unë si gjithë shokët e skuadrës jemi krenar që jemi pjesë e këtij ekipi model në futbollin vendor dhe në suaza më të gjera, sepse dihet ecuria dhe sukseset që po shënon Shkëndija jo vetëm në skenën vendore dhe ndërkombëtare viteve të fundit. Jam i lumtur që jam këtu dhe që munda të debutojë.

Lajm:Si është konkurrenca në skuadër. Dhe, a shpresoni më shumë hapësirë në ekipin e parë?
ILJAZI:Për të arritur sukseset që ka Shkëndija duhet një konkurrencë e madhe me individ shumë cilësorë. Dhe, fakti që Shkëndija pushoi 15 lojtarë me Pobedën dhe ne futbollistët që u paraqitëm arritëm fitore prej 4-1 tregon se Shkëndija ka një skuadër të kompletuar dhe kjo na bën që të jemi më motivuar që të luftojmë për një vend. Unë e di se konkurrenca në ekipin bazë është e madhe, por do të mundohem që me punë të gjejë hapësira të reja që të jem pjesë e ekipit të parë.

Lajm:Si po ndihesh te Shkëndija, me kë shoqëroheni më shumë?
ILJAZI:Ndihem shumë mirë te skuadra e Shkëndijës. Jam i lumtur që jam këtu. Gjithë lojtarët janë të shoqërueshëm dhe nuk do të kasha vecuar askënd. Dihet se puna gjatë seancave stërvitore na bën që ne portierët të punojmë bashkërisht edhe me trajnerin e portierëve Samet Zendeli.
Por, te Shkëndija çelësi i suksesit është grupi dhe jo individi, prandaj ky është motivi që më jep të besoj se mund të dalim edhe më të mirë, sepse Shkëndija ka një kolektiv të jashtëzakonshëm.

Lajm:Çka pritni nga ekipi në eliminatorët e Ligës së kampionëve?
ILJAZI:Duke ditur ecurinë e skuadrës viteve të kaluara, kujtojë që Shkëndija ka luajtur tre herë rreshtë në play-off të Ligës së Europës ne si ekip besojmë dhe presim që të kualifikohemi në grupet e garave europiane qoftë Liga e kampionëve që është shumë më e vështirë, ose në Liga Europa që gjithashtu ka një vështirësi të madhe. Normal është vështirë do të kemi kundërshtarë të fortë, por varet edhe nga fati që do të kemi në shortë, por ne do të japim më të mirën që të realizojmë ëndrrën dhe objektivin që kemi si skuadër. për mua është kënaqësi që kam mundësinë që përmes këtyre ndeshjeve qoftë në pankinë apo edhe i grumbulluar me ekipin të fitojë përvojë dhe të ndjejë atmosferën e vërtetë të këtyre ndeshjeve ndërkombëtare.