Policia e Malit të Zi mohon të ketë pasur shpërthim në vilën e Gjukanoviq

Autoritetet në Mal të Zi kanë hedhur poshtë spekulimet e një pjese të mediave se në vilën e presidentit Milo Gjukanoviq ka pasur shpërthim.

“Nuk ka pasur shpërthim ashtu sikurse u transmetua nga disa media për të përhapur panik “, tha Drejtoria e Policisë në një postim në Twitter.

Sipas policisë bëhet fjalë për një prishje të vogël elektrike në Vila Goricë dhe asnjë dëmtim material nuk u bë, por një zyrtar që punonte për të siguruar objektin e përdorur nga Qeveria dhe presidenti, thirri të gjitha shërbimet përkatëse.

“Nuk kishte asnjë shpërthim. Një tjetër lajm i rremë. Është i pasaktë që kishte një shpërthim në vila Gorica. Ishte një prishje e vogël elektrike që u riparua shpejt”, tha policia.

Lajmi për shpërthimin e supozuar në Vila Gorica është transmetuar në tabloidet serbe.