Policia e Kosovës arreston 3 shtetas shqiptarë të strehuar në kampin e Prizrenit

Policia e Kosovës ka arrestuar sot tre shtetas të Shqipërisë që po strehoheshin në kampin ushtarak në Prizren, që u hap për të prekurit nga tërmeti.

Policia e ka konfirmuar rastin, duke thënë se deri te arresitmi ka ardhur për shkak se këta persona nuk përfillën urdhërata policorë, raporton JOQ Kosova.

“Disa persona të cilët tani po qëndrojnë në Kampin Gjerman kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga mjekët e emergjencave e më pas janë revoltuar dhe kanë tentuar t’i sulmojnë mjekët. Pastaj të njëjtit nuk i janë bindur edhe urdhrave të zyrtarëve policorë”, kanë thënë Policia e Kosovës.

Ndërkohë, vlen të theksohet se në këtë kamp në Prizren, ishin vendosur mbi 500 shtetas shqiptarë që kishin mbetur pa shtëpi.