“Plani i Trumpit për Lindjen e Mesme nuk është plan paqeje”

Lideri i Partisë Laburiste në Britani të Madhe, Jeremy Corbyn duke komentuar të ashtuquajturin “Plani i paqes për Lindjen e Mesme” të presidentit amerikan Donald Trump tha se nuk është “plan paqeje”.

Duke folur në seancën javore “pyetje për kryeministrin” në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik, lideri opozitar Corbyn tha se “Plani i Trumpit për paqe në Lindjen e Mesme nuk është plan paqeje. Ai anekson territorin e Palestinës, transferon palestinezët, shtetas izraelitë dhe privon popullin palestinez nga të drejtat themelore”.

Corbyn i bëri thirrje qeverisë britanike që “të mos marrë pjesë në anën e kësaj gjëje të propozuar dje nga Trump, por të qëndrojë në anën e një plani paqeje të vërtetë me mbështetje ndërkombëtare”.

“Plani i Trumpit nuk do të sjellë paqe”, tha Corbyn duke shtuar se ky plan nuk ka mbështetje as në Palestinë dhe as në ndonjë vend tjetër të botës.

Ndërsa kryeministri britanik, Boris Johnson në përgjigje ndaj Corbyn, duke mbrojtur idenë e tij se “asnjë plan paqeje nuk është i përsosur” tha se plani i Trumpit “është të paktën një zgjidhje me dy shtete”.

Johnson i bëri thirrje liderit opozitar Corbyn që të bindë presidentin palestinez Mahmoud Abbas që të bisedojë mbi planin dhe të mos shkaktojë ndonjë “boshllëk politik”.

Thirrje për ndalimin e shitjes së armëve ndaj Arabisë Saudite

Në fjalën e tij, Corbyn ka kritikuar edhe mbështetjen e qeverisë së tij ndaj operacioneve ushtarake të Arabisë Saudite në Jemen. Corbyn theksoi se vitin e kaluar kanë humbur jetën 100 mijë civilë në operacionet në fjalë dhe i bëri thirrje qeverisë britanike që të ndalë shitjen e armëve ndaj Arabisë Saudite.

Pasi përmendi edhe raportin e organizatës “Human Rights Watch” e cila ka dokumentuar keqtrajtimet e Arabisë Saudite kryesisht ndaj opozitarëve dhe grave aktiviste, Corbyn pyeti “Kryeministri i cili në fund të këtij viti do të shkojë në Rijad për Samitin G20, a do t‘u thotë zyrtarëve sauditë se marrëveshja e tregtisë që do të bëhet me këtë vend do të jetë e varur kryesisht nga të dhënat e të drejtave të njeriut dhe keqtrajtimet ndaj grave?”.

Johnson tha se gjatë takimeve me Arabinë Saudite do t’i shtrojnë në rend dite të drejtat e njeriut dhe se edhe pas kësaj do të vazhdojnë ta bëjnë këtë.