Zilie Feçi

Situata politike në rajonin e Ballkanit, sidomos në Shqipëri dhe Maqedoni është si dy trekëndësha të ngjashëm. Së pari, sepse liderët opozitarë tentojnë  “ndryshime radikale” me platformat e tyre politike dhe së dyti, “taktikat” e tyre janë thuajse njëlloj.

Për ta konkretizuar, mjafton vetëm një krahasim. Në vitin 2015, Zoran Zaev, lideri i Unionit Social Demokrat në Maqedoninë e Veriut bëri gjithçka mundi kundër ish-kryeministrit të asaj kohe Nikola Gruevskit, ndaj të cilit kishte një mal me akuza për korrupsion, lidhje ruse e shumë të tjera. Madje, pati protesta për disa ditë me radhë në Shkup.

Në Maqedoni, Zaev pati mbështetje amerikane. Atij ju servirën madje edhe disa përgjime, sipas të cilave Gruevski kishte qasje të theksuar pro ruse dhe ishte një lobues i financuar prej tyre kundër shqiptarëve. Ndaj, Grueski nuk e pati të gjatë “derbin” me Zaev dhe politikisht u dorëzua. Pra, dy vjet më parë Zaev mori drejtimin e Qeverisë në Maqedoni, ndërsa në Shqipëri zhvillimet politike ishte në një tjetër krizë.

Lulzim Basha (bëhet fjalë gjithmonë për vitin 2017) hyri për një kohë të gjatë në “çadrën e lirisë”, të ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me akuza nga të rëndat për kryeministrin Rama. Vendosi të përdorë, ashtu si Zaev politikën e përgjimeve, duke e filluar sapo mbaruan zgjedhjet e qershorit, që për hir të së vërtetës u zhvilluan në një situatë jo të lehtë dhe pas një marrëveshjeje që u cilësua historike mes Bashës dhe Ramës.

Kështu, Basha nisi “modelin maqedonas”; atë me përgjime. Së pari doli në skenë Dritan Zaganin, që kishte prova për Saimir Tahirin. Në fakt çështja e ish-ministrit Tahiri ishte shkëndija e parë e një “kështjelle prej rëre”, që po përgatiste opozita për të hedhur hapa të mëtejshëm drejt një proçesi bllokues. Basha vijoi me “Babalen” për të sulmuar Xhafajn, më pas segmente të Prokurorisë për Dakon e të tjerë.

Pra, thjesht përgjime. Por pikërisht në kulmin e “suksesit politik”, me përgjime, del në skenë skandali më i madh, ai i lobit rus që ndihmonte Bashën. Një çështje për të cilën Basha nuk e pandehu, por u bë çëshje dhe madje nisën hetime edhe nga autoritetet ligjzbatuese amerikane. Lobet ruse e konfirmonin përmes kontratave se ishin paguar nga Partia Demokratike, ndërsa liderit të kësaj të fundit nuk i mbeti gjë tjetër, veçse të mohonte.

Sigurisht, Rusia, duke qenë një vend i madh lufton për ndikim edhe në rajonin tonë. Ajo është në një lloj lufte të re të ftohtë me SHBA-në. Ajo ka ndikim në Serbi, përpiqet të ketë ndikim në Rumani, në Mal të Zi, në Maqedoni apo Bullgari. Është vënë re gjithashtu se ka përpjekje për të qenë më e pranishme në Shqipëri, pavarësisht se për autoritetet shqiptare orientimi politik është pa mëdyshje nga SHBA dhe BE-ja. Do të ishte vetëvrasje politike, nëse ndonjë subjekt mund të shtynte përpara axhendën ruse, që në fakt Basha e bëri me apo pa dashje, çka detyroi edhe FBI të niste një hetim intensiv për lobuesin rus në emër të Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike.

Por a mund të jetë Lulzim Basha, si Zaevi i Maqedonisë?! Jo dhe jo! Të gjitha rrethanat e deritanishme janë si “nata me ditën” të krahasueshme. Sepse, Gruevski u rrëzua nga përgjimet e amerikanëve, që zbuluan qasjen “pro” ruse të tij. Zaevi shfrytëzoi pikërisht këtë linjë, për të dalë fitues dhe në fund ja doli.

Po Basha?! Me përgjime shqiptare, që janë servirur nga prokurorë shqiptarë, e më konkretisht nga Besim Hajdarmataj siç është përfolur edhe nga shumë media. Hajdarmataj nuk nisi asnjë hetim ndaj Vangjush Dakos për blerje votash, por thjesht zbardhi disa përgjime dhe ia serviri Partisë Demokratike.

Basha kurrësesi nuk mund të jetë si Zaevi i Maqedonisë së Veriut.

Mbi të gjitha Zaevi është nga ai lloj lideri, që po i jep Maqedonisë së Veriut më shumë pikë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa Basha e ka shkruar emrin në “listën e zezë” të atyre, që nëse nuk e pengojnë plotësisht e ngadalësojnë këtë proces.