Shënoi gol për Suedinë në Botëror, Kosovare Asllani tregon rrënjët e saj shqiptare

Kosovare Asllani nuk e ka fshehur asnjëherë faktin se është shqiptare. Në një postim në Instagram, futbollistja kosovare pasi shënoi për Suedinë ndaj Kilit në Kampionat Botëror, e ka formuar shqiponjën dykrenore me ‘emoji’, duke iu përgjigjur urimit të ish-futbollistes së njohur kosovare, Fatmire Lira Alushi

Kosovare Asllani po i bën krenarë suedezët, por edhe shqiptarët, në Kampionatin Botëror të futbollit për femra, i cili po mbahet në Francë, shkruan Gazeta Express.

Futbollistja kosovare shënoi gol në fitoren e Suedisë me rezultat 2:0 ndaj Kilit të martën mbrëma, ndërkohë që u zgjodh edhe futbollistja e vitit.

Dhe, pas lojës ajo mori urime të shumta, përfshirë këtu edhe nga ish-futbollistja shqiptare, Fatmire Lira Alushi, e cila ishte futur në mesin e tri futbollisteve më të mira në botë.

“Gjithmonë shqiptare”, ka shkruar Asllani në Instagram, duke ia përcjellë fotografisë emojin me dy duar, duke menduar për shqiponjën dykrenore, simbol i shqiptarëve.

Kosovarja nuk i kishte fshehur asnjëherë rrënjët e saj.

Pas një goli që e kishte shënuar ndaj Ukrainës, ajo kishte festuar duke e formuar shqiponjën dykrenore, me ç’rast ishte kritikuar nga suedezët.

Mirëpo, këta të fundit e vlerësojnë aq shumë, sa që i kanë bërë statujë në Suedi.

Kosovare Asllani është njëra prej futbollisteve më të mira shqiptare në histori, por edhe suedeze po ashtu. /Gazeta Express/