Parlamenti i hoqi betimin e magjistratëve, reagon Presidenca: Ligj KÇK, Meta do flasë pasdite

Pasi parlamenti i hoqi me ligj të drejtën eksluzive Presidentit për të kryer procesin e betimit për magjistratët, ka reaguar për herë të parë zëdhënësi i Kreut të Shtetit Ilir Meta.

Përmes një postimi në rrjetin social, Tedi Blushi shkruan se habi është kur ndodh ndonjëherë që parlamenti i drejtuar ngga maxhoranca, të sjellë në presidencë ligje që respektojnë kushtetutën. Sipas tij ligji në fjalë për betimin e gjyqtarëve të lartë është i formatit ‘Kap Ça të Kapësh” (KÇK) dhe se në orët e pasdites Presidenti Meta do të dalë në media për të arsyetuar mbi qëllimin e vërtetë të këtij ligji.

REAGIMI

Të nderuar kolegë gazetarë!
Kam marrë shumë pyetje nga ju, lidhur me ligjin që ka kaluar Kuvendi dje në mbrëmje vonë, nëse është apo jo në shkelje të Kushtetutës.
Së pari dua të shpreh çudinë e madhe që ky ligj miratohet në errësirë të plotë, vetëm pak orë para fillimit të takimeve të Komisionit të Venecias në Tiranë, të thirrur nga vetë Kuvendi, që tregon një mungesë serioziteti të plotë, panik për ngut dhe fakt të kryer.
Pra KAP ÇFARË TË KAPËSH.
Së dyti, për ne tashmë çudi përbën vetëm fakti kur ndonjëherë Kuvendi kalon ndonjë ligj që respekton Kushtetutën, pasi dhunimi sistematik i saj është kthyer në rregull.
Por sot paradite jemi të fokusuar te takimi me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias.
Ndërsa pasdite ju premtoj se Presidenti do të kuvendojë me ju direkt nga Presidenca, dhe me të gjithë shqiptarët, për qëllimin e vërtetë të ligjit për KRYEKÇK-në.