Pamjet duke konsumuar kokainë, kryebashkiaku Alla e mohon: Video e montuar, nuk jam unë!

Këtë mëngjes në media (abcneës) u publikuan disa pamje të një kryebashkiaku, që sipas gazetarit Artan Hoxha (personi që i publikoi fotot) konsumonte kokainë në ambiente publike.

Me daljen e pamjeve lajmi u shpërnda me shpejtësi në media dhe pak orë më tutje, Partia Demokratike doli në konferencë përmes ish deputetit të PD-së Ervin Salianji.

Ky i fundit shqiptoi emrin e kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla, që sipas tij është personi që doli në foto duke konsumuar kokainë.

“Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet sesi kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, është duke konsumuar kokainë.  Kokaina, heroina, kanabisi vjedhja, zhvatja janë cilësitë kryesore të kësaj bande që vjedh vendin. Janë cilësitë e kryeministrit.”-tha Salianji.

Por pas daljes së PD-së dhe akuzës direkte, një reagim i parë ka ardhur nga vetë kryebashkiaku Lefter Alla, i cili ka deklaruar për neës24 se video është e montuar dhe se ai po sulmohet politikisht nga opozita.

“Nuk jam unë personi në video, video është e montuar”-ka deklaruar Alla.