NYT: Soleimani organizoi takime të fshehta me EBA-në dhe Arabinë Saudite për uljen e tensioneve

Gjenerali iranian Qasem Soleimani, i vrarë në fillim të muajit janar në një sulm amerikan, pak para atentatit kishte organizuar takime midis Iranit, Emiratave të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Arabisë Saudite për uljen e tensioneve ndërmjet këtyre vendeve, pohoi gazeta New York Times (NYT).

Gazeta amerikane shkroi se EBA ka mbajtur takime të fshehta me Iranin në shtator të vitit 2019 pa dijeninë e Washingtonit dhe se këto takime ishin planifikuar nga Soleimani.

Siç shkruan NYT, mosveprimi i Washingtonit ka nxitur dyshime tek aleatët e saj të Gjirit në lidhje me politikën e “presionit maksimal”, posaçërisht pas shkarkimit të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton, i cili njihej për qëndrimit kundër Iranit, dhe pas sulmit ndaj fabrikave saudite të naftës.

Me këtë, shkruan gazeta, EBA nisi takimet e fshehta me Iranin pa pëlqimin e SHBA-së. Një delegacion i lartë iranian në fund të shtatorit ka vizituar Abu Dabin, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të EBA-së për uljen e tensioneve në rajon.

NYT shkruan se takime të ngjashme janë realizuar në periudhën e njëjtë edhe midis Arabisë Saudite dhe Iranit me ndërmjetësim të Irakut dhe Pakistanit, të organizuara nga gjenerali i vrarë Soleimani.

“Takimet shqetësuan SHBA-në dhe Izraelin”

Siç thuhet më tej, me të mësuar për takimet e EBA-së, aleat i SHBA-së kundër Iranit në rajon, Washingtoni është shqetësuar për një dështim të mundshëm të politikës së “presionit maksimal” ndaj Teheranit.

Duke cituar një zyrtar të inteligjencës, NYT shkroi se kjo çështje është diskutuar edhe gjatë vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo në Izrael në muajin tetor gjatë një takimi me shefin e Mossad-it izraelit, Yossi Cohen, i cili i ka shprehur shqetësime kryediplomatit amerikan se koalicioni kundër Iranit mund të prishet.

Loading...