Një muaj paraburgim për Ikballe Berisha-Hudutin

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës Ikballe Berisha Huduti për shkak të veprës penale shtytja për kryerjen e veprave terroriste nga neni 134 të KPRK-së.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurës Ikballe Berisha-Huduti iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
“Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të paraburgimit dhe ka aprovuar propozimin e prokurorit për caktimin e parabugimit. Gjykata konsideron se janë plotësuar kushtet ligjore të parapara nga neni 187 par. 1 nënpar.1.1, neni 187 par. 1 nën par. 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, neni 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.2 si dhe neni 187 par.1 nën par. 1.1 e 1.2 pika 1.2.3Ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura I.H ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, ku dëshmohet postimi i të pandehurës në rrjetin social Facebook, e me të cilat postime është bërë shtytje në kryerjen e veprave terroriste. Po ashtu Gjykata ka konsideruar se ekziston frika e bazuar se po që se e pandehura do të mbrohet në liri mund ti qaset arratisë për ti ikur përgjegjësisë penale para së cilës ndodhet, ku në këtë mënyrë do ta pengoj rrjedhën normale të procedurës”, thuhet në njoftimin për media, transmeton Indeksonline.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Indeksonline/