Një libër i munguar: ‘Plagët e “demokracisë” shqiptare’

(Shkëlzen Halimi: Manipulimi i emocionit apo tranzicioni (shqiptar) në labirint”, botoi Logos a, 2019, Shkup)

Edhe pas tri dekadave në pluralizëm shoqëria shqiptare në Maqedoni vazhdon të mbetet shoqëri e polarizuar, e manipuluar, e injoruar nga partitë politike (shqiptare), të cilave herë herë u besoi edhe verbërisht. Në fakt, partitë politike asnjëherë nuk u treguan të sinqerta dhe gjithçka që realizuan për grupe të caktuara, këtë e bënë në kurriz të popullatës, e cila për tri dekada me radhë u “ushqye” vetëm me premtime. Nuk u kursyen as emocionet, me të cilat, në mënyrë permanente, u abuzua, thjeshtë për të mbetur apo për ta arritur pushtetin. Por pse dhe si u realizuan këto politike aspak humane? Të gjitha përgjigjet mund t’i gjejmë te libri më i ri shkrimtarit dhe publicistit, Shkëlzen Halimi, me titull “Manipulimi i emocionit apo tranzicioni (shqiptar) në labirint”, botuar nga Shtëpia botuese me renome LOGOS A, shtëpi botuese kjo ndër më produktive në të gjitha hapësirat shqiptare, e cila sivjet shënon 30 vjetorin e veprimtarisë së saj.
Shoqërisë shqiptare, thotë autori, vazhdimisht i ndodhnin fenomene të çuditshme, për të mos thënë qesharake. Kapitull në vete ishin absurditetet në politikë, e cila assesi nuk mund të çlirohej nga ngërçet e brendshme. Dhe me të drejtë pyet autori: çfarë politike ishte ajo kur dominohej nga prirjet për manipulim me emocionet dhe ndjenjat kolektive?
Nga ky libër do të kuptojmë se subjektet politike shqiptare, bosht të organizimit politik nuk e kishin idenë apo programin, por individin. Ndërkaq kjo shkaktoi që midis shqiptarëve të kemi inflacion servilizmi, faktorizim brenda natës dhe një armatë të politikanëve mediokër.
Autori arrin që me sukses ta pasqyrojë tranzicionin, përkatësisht kalimin nga sistemi komunist në atë pluralist, por fatkeqësisht, ky kalim nga një sistem në tjetrin tregoi se shqiptarët as e harruan komunizmin e as e kuptuan pluralizmin. Duke qenë në një mes të papërcaktuar, politika e tyre ishte një politikë hibride që nuk i plotësonte as kushtet elementare të demokracisë reale. Secili që do ta lexojë këtë libër, në një mënyrë do ta gjejë atë që ndërdija e tij (një nga zonat me të cilën komunikon vetëdija) shumë më herët e ka regjistruar, jo vetëm në planin politik, por edhe në lëmin e kulturës, arsimit, religjionit e kështu me radhë.
Shkurt e shqip: bëhet fjalë për një libër që duhet lexuar, sepse në mënyrë konkrete i pasqyron të gjitha plagët e “demokracisë” shqiptare, të cilat akoma nuk janë shëruar. (F.H.)