Një javë para caktimit të zgjedhjeve Postat e Maqedonisë me konkurs për punësimin e 280 punëtorëve

Shoqata Aksionare, “Posta e Maqedonisë”, një javë para shpalljes së zgjedhjeve ka shpallur konkurs për punësimin e 280 punëtoreve nëpër të gjithë filialet e shtetit.
Konkursi është shpallur pak kohë para datës në të cilën pritet të shpërndahet Kuvendi dhe kur do të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në konkurs theksohet se personat e interesuar duhet të kenë të kryer së paku shkollën e mesme, dhe përvoja nuk është e rëndësishme. Rroga parashihet të jetë 18 mijë denarë neto.

Në ndërkohë, në “Postat e Maqedonisë”, 240 punonjës janë me status të pazgjidhur dhe janë duke punuar me kontrata dhe pa mundësi shfrytëzimi të shumë përfitimeve që i kanë punëtorët me status të zgjidhur.

Muaj më parë të njëjtit zhvilluan protesta duke kërkuar zgjidhjen e statusit të tyre, pasi për vite të tëra ishin duke punuar me kontrata.

Aso kohe drejtori i Postave të Maqedonisë, Ejup Rustemi deklaroi se “nuk ka shkop magjik për ti zgjidhur problemet e grumbulluara ndër vite”, përcjell INA.

Loading...