Fryti i këtij kuvendi ishte themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si një organizatë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare, me organet e saja qendrore, me degë në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, veç qëllimit për të mbrojtur tërësinë e Shqipërisë, kërkoi edhe autonominë e vendit, duke mbledhur katër vilajetet, në një vilajet të vetëm, me gjuhën shqipe, gjuhë të qeverisë dhe përshpejtimin e hapave drejt pavarësisë. Nismën për  thirrjen e Kuvendit të përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit, në të cilin nuk mungonte edhe prezenca e tetovarëve, në krye me Sheh Mustafë Tetovën dhe e delegatëve të tjerë, si: Haxhi Sadik Tetova, Riza Fuati, Hasan Pashë Deralla, Esat Pashë Tetova dhe Mehmet Efendiu të cilët u rreshtuan përkrahë delegatëve të tjerë më 10 qershor 1878”, bëri të ditur Prof. Dr. Zeqirja Idrizi.

Në këtë edicion, Shoqata “Tradita” e ndau edhe Çmimin kombëtar “Ali Vishko” për laureatin e vitit 2019. “Në përputhje me statutin e Shoqatës “Tradita”, ky çmim u ndahet personaliteteve shqiptare nga vendi dhe nga rajoni e më gjerë, në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit. Pas shpalljes së konkursit, dhe shqyrtimit të propozimeve të arritura, komisioni përkatës i kryesuar nga profesor Xhelal Zejneli, vendosi që Çmimi kombëtar “Ali Vishko”, për vitin 2019 t’i ndahet veprimtarit të mirënjohur, profesor Xhemaledin Salihut nga Kosova Lindore, me motivacionin:  për veprimtari jetësore dhe për arritje të veçanta në fushën e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare” – theksoi kryetari i Shoqatës “Tradita” –  Selam Sulejmani.

Ndërkaq, biografinë dhe të dhëna të caktuara për veprimtarinë kulturore dhe atdhetare të Xhemaledin Salihut, laureatit të sivjetmë të çmimit “Ali Vishko” e lexoi kryetari i Komisionit për ndarjen e këtij çmimi – profesor Xhelal Zejneli. “Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, ka vendosur që laureat i sivjetmë i Çmimit “Ali Vishko” të jetë veprimtari dhe atdhetari nga Presheva Xhemaledin Salihu. Që kur e themeloi në Preshevë në vitin 2010 Shoqatën për trashëgimi dhe krijimtari kulturore, laureati ynë vazhdimisht është angazhuar në hulumtimin e vlerave shpirtërore dhe materiale të Luginës së Preshevës. Është autor i shumë veprave dhe ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore të mbajtura në Preshevë, në Prishtinë, në Tiranë dhe në Tetovë. Gjurmimi, ruajtja dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore të Luginës së Preshevës, kanë qenë pjesë e pandarë e jetës së tij. Me veprime permanente për të ruajtur dhe për të afirmuar trashëgiminë kulturore të Luginës, i dhuroi letërsisë dhe kulturës shqiptare një numër të madh veprash dhe studimesh shkencore. Xhemaledin Salihu lindi në Preshevë më 14 gusht të vitit 1947. Arsimimin fillor dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Ndoqi studimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në degën e Pedagogjisë. Pasi i kreu studimet, në vitin shkollor 1971-72, punoi si profesor në Tërnoc të Bujanocit, në paralelet që ishin pjesë e gjimnazit të Preshevës. Në vitin shkollor 1972-73, punon si profesor në gjimnazin e Preshevës për lëndën e psikologjisë dhe të sociologjisë. Në periudhën e viteve 1974 -1983 ka qenë drejtor i Shtëpisë së kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë. Gjatë punës 9-vjeçare si drejtor i Shtëpisë së kulturës dha një ndihmesë të madhe për zhvillimin e veprimtarisë kulturore dhe artistike shqiptare në qytetin e tij të lindjes”- tha midis tjerash profesor Xhelal Zejneli.

Ai po ashtu vuri në dukje se puna e këtij veprimtari të palodhshëm nuk mbaron me kaq. “Ai organizon në Bujanoc Ekspozitën e artit dhe të fotografive të trashëgimisë kulturore. Një vit më vonë, pra më 2012, ka organizuar në Medvegjë konferencën shkencore Veshja shqiptare e Medvegjës dhe e  viseve të  tjera, ku kanë marrë pjesë studiues nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia si dhe nga Lugina. Në konferenca të caktuara të mbajtura në Tiranë, në Prishtinë dhe në vise të tjera shqiptare, Xhemaledin Salihu ka marrë pjesë edhe me kumtesa. Angazhimi i tij nuk ka vetëm përmasë kulturore, por ka edhe dimension kombëtar, politik dhe historik”, shtoi profesor Xhelal Zejneli.

Ndërkaq laureati Xhemaledin Salihu u shpreh se ndjehet shumë i nderuar dhe i privilegjuar që ndodhet në Tetovën atdhetare, qendër me rëndësi të madhe shkencore, arsimore, kulturore dhe kombëtare.

 Sidomos ndjehet i privilegjuar për nderimin që i bëhet  nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, me Çmimin kombëtar “Ali Vishko”, që e mban emrin e një veprimtari  të shquar të arsimit dhe shkencës.

“Njëkohësisht ndjehem krenar sepse këtë çmim kombëtar, me kaq vlerë kulturore e kombëtare, e konsideroj, jo vetëm meritë të punës sime shumëvjeçare arsimore e kulturore, por edhe meritë të angazhimit dhe të punës së Shoqatës për trashëgimi dhe krijimtari kulturore të Luginës së Preshevës, të cilën e drejtoj qe dy mandate. Më lejoni që me rastin e kësaj ngjarjeje me rëndësi kulturore të them se kultura shqiptare dhe shqiptarët po shkojnë drejt bashkimit shpirtëror e kombëtar. Ndarja e Çmimit kombëtar më obligon edhe më shumë dhe më bën më përgjegjës në angazhimin tim, që së bashku me ju, të punojmë në kultivimin e kulturës së mirëfilltë kombëtare, në rizgjimin e dashurisë së të rinjve ndaj  kulturës shqiptare dhe në mbrojtjen e ruajtjen e kulturës dhe të identitetit kombëtar, sepse kultura dhe identiteti kombëtar, kohët e fundit po na rrezikohen nga ndikimet e huaja kulturore dhe identitare” – theksoi laureati i Çmimit “Ali Vishko” për vitin 2019 – Xhemaledin Salihu.

Sivjet Shoqata “Tradita” ndau edhe disa mirënjohje. Për qëndresën përballë politikës hegjemoniste sllave, për veprimtarinë e tij patriotike, për synimet politike dhe historike si dhe për angazhimin për lirinë dhe për demokracinë e popullit shqiptar, mirënjohje i ndau veprimtarit të çështjes shqiptare – profesor Nevzat Halilit.

Ndërkaq, për kontributin e veçantë në zhvillimin e kulturës, në kultivimin e traditave atdhetare,të gjuhës dhe të historisë, si dhe për përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare, iu ndanë mirënjohje rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ametit, kryetares së Komunës së Tetovës, z-nj. Teuta Arifit, Sekretarit shtetëror të Ministrisë së Kulturës të RMV-së, z.Valmir Azirit si dhe Myftinisë së BFI-së në Tetovë.

Edicioni VI i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” u mbështet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i njëjti u përmbyll me programin artistik dhe orën letrare në të cilën  poetë, përkatësisht shkrimtarë të njohur i lexuan poezitë e tyre, ndërsa nxënësit dhe studentët i deklamuan poezitë e poetëve të njohur të letërsisë shqiptare dhe të letërsisë botërore.

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”