Mungesa e ngrohjes në gjykatën e Tetovës, punonjësit dalin më herët nga puna

Dhjetëra të punësuar në gjykatën themelore të Tetovës kanë lëshuar sot vendet e tyre të punës disa orë para përfundimit të orarit, si pasojë e mungesës së ngrohjes qendrore e cila, sipas të punësuarve që nuk donin të prononcoheshin para kamerave, nuk është ndezur fare pavarësisht fillimit prej kohësh të sezonit të ngrohjes.

Pikërisht për pasojë të mungesës së nxehjes, të punësuarit në Gjykatën Themelore të Tetovës, sot janë lëshuar nga puna që në orën tre, ndërkohë prapa kamerave, konfirmojnë se nxehja aspak nuk është lëshuar në gjykatë.

Ekipi i televizionit Alsat tentoi që të merr prononcim edhe nga kryetari i Gjykatës themelore të Tetovës, por i njëjti ishte i pakapshëm për mediat, për të sqaruar arsyet e mungesës së ngrohjes. Ndërkohë, disa të punësuar në gjykatë, përmes telefonit, janë shprehur se kushte pune nuk ka aspak dhe se bën tejet të ftohtë nëpër zyrat e tyre të punës, andaj edhe kanë lëshuar zyrat e tyre disa orë para përfundimit të orarit.