Moadini: Gjimnazi “Sami Frashëri” të dislokohet në shkollën “Vuk Karaxhiq”

Këshilltari i “Aleancës për Shqiptarët” në Komunën e Kumanovës, Osama Moadini, ka kërkuar që gjimnazi “Sami Frashëri”, të dislokohet në ndërtesën e shkollës fillore “Vuk Karaxhiq”, shkruan gazeta LAJM. Prej vitesh, nxënësit shqiptarë të këtij gjimnazi në Kumanovë, në mungesë të objektit shkollor, mësimet i zhvillojnë në hapësirat e ish Kombinatit bujqësor.
Moadini, propozimin e tij e ka arsyetuar me faktin se në shkollën fillore me mësim në gjuhën maqedonase “Vuk Karaxhiq”, mësojnë vetëm 114 fëmijë, kurse këtë vit janë regjistruar vetëm 9 nxënës në klasë të parë, ndërsa gjimnazi “Sami Frashëri” ka 1200 nxënës shqiptarë.
“Propozoj që kjo shkollë t’i lihet në shfrytëzim gjimnazit “Sami Frashëri”, kurse nxënësit e shkollës fillore “Buk Karaxhiq” të dislokohen në shkollën më të afërt për të ndjekur mësimet t’i jepet fund problemit. Kërkojë që statuti i shkollës “Vuk Karaxhiq” të dërgohet në Ministrinë e Arsimit dhe të shihet nëse kjo shkollë mund të funksionojë me numër aq të vogël të nxënësve. Ftoj ministrin që është nga qyteti ynë të merret me statutin e kësaj shkolle”, tha Moadini në Këshillin e Kumanovës.
Pas debateve të ashpra që ka shkaktuar ky propopozim mes Moadinit dhe këshilltarëve maqedonas, mbledhja e Këshillit është ndërprerë ndërsa propozimi nuk është hedhur në votim./Gazeta LAJM