Ministria shpall thirrje publike për gazifikimin, Bekteshi: Ky është njëri ndër projektet më të rëndësishme

Ministria e Ekonomisë ka shpallur thirrjen publike për mirëmbajtje, menaxhim dhe zhvillim të rrjetit distribuiv të gazit natyrorë në vend. Ministri Kreshnik Bekteshi tha se ky është njëri ndër projektet më të rëndësishme i cili sipas tij do të ndikojë në disa sfera, duke filluar nga aspekti ekonomik ai social po edhe ekologjik. Drejtori i resurseve, Bajram Rexhepi tha se në përfundim e sipër janë dy akse, nga Shkupi në Tetovë dhe Manastir me gjatësi prej 88 km.

“Me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së veriut në dhjetor të 2019-tës filluan pothuajse të gjitha procedurat sa i përket përgatitjes së dokumentacionit tenderik po njëkohësisht edhe të thirrjes publike dhe pikërisht, pothuajse pas dy muajsh jemi gati ku edhe në mënyrë zyrtare e kemi shpallur edhe thirrjen publike për të gjithë të interesuarit që do të kenë mundësi të paraqiten në këtë thirrje dhe të bëhen partner I qeverisë së RMV-së në ndërtimin e rrjetit distribuiv të gazit natyror pikërisht në qytetet dhe komunat në Maqedoni”, deklaroi Bekteshi.

“Mendoj që sipas dinamikës të tanishme të realizimit ne do të mund t’I mbyllim deri në kuartalin e dytë ose në gjysmën e parë të këtij viti pasi vitin e kaluar kemi realizuar mbi 100 kilometra. Kemi pasur një realizim shumë të lartë të investimit capital. Kemi realizuar 95 % të planifikimit fiscal vitin e kaluar. Për këtë vit na kanë ngelur 30 % që t’I përfundojmë të dy akset. Mendoj se do të mbarojmë në kohë pasiqë realisht pjesët më të vështira më I kemi mbaruar”, potencoi Rexhepi.