Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, sot në Universitetin “Nënë Tereza” mbajti fjalim në seminarin e dytë shkencor ndërkombëtar “Multikulturalizmi dhe dialogu interkulturor”. Ai në fjalimin e tij para të pranishmëve, u përqendrua në temën kryesore të seminarit “Trashëgimia kulturore dhe interkultura si udhëzues për integrime dhe kohezion social”. “Trajtimi i trashëgimisë kulturore dhe interkultura, si udhëzues për integrime dhe kohezion social, në një qytet heterogjen dhe me kaq diversitete, siç është Shkupi, është vendi më i qëlluar për një temë si kjo,” theksoi ministri i Kulturës, Ismaili. Ai shtoi se mjediset ku kemi kulturë homogjene dhe traditë njështresore identitare janë të privuara nga shija e bukur që e krijon diversiteti, ku njerëzit njihen përmes dallimeve dhe e vlerësojnë ose rishqyrtojnë sistemin e tyre të vlerave duke u përballur me tjetrin. Pjesëmarrësit në seminar i përshëndeti edhe rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Azis Pollozhani, dhe ndër të tjera, fjalim kishte edhe akademiku Luan Starova. Në kuadër të evenimentit u diskutua edhe për nëntemat e tjera: Trashëgimia kulturore dhe interkultura në art dhe shkencë, në gjuhë dhe letërsi, si dhe në shoqërinë shqiptare.

Loading...