Ministri Dimitrov për vizitë pune në Bruksel

Ministri për Punë të Jashtme Nikolla Dimitrov sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Bruksel.

Siç njoftojnë nga MPJ, ministri Dimitrov sot do të marrë pjesë në mëngjesin e punës me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve-anëtare të BE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në organizim të ministrit grek për Punë të Jashtme Nikos Dendias.

“Mëngjesi i punës, drejtpërdrejtë para mbajtjes së Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së, do të paraqesë mundësi që Dimitrov t’i njoftojë kolegët ministra për Punë të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së me ngjarjet e fundit politike në vend, me fokus të prioriteteve kyçe të lidhura me qeverisjen e së drejtës si dhe implementimin e Marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë. Njëherit do ta përsëris kërkesën që Këshilli sa më shpejtë që është e mundur të arrijë pajtueshmëri për metodologjinë e re negociuese dhe pa anulim të mëtutjeshëm ta sjellë vendimin për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga MPJ.

Në suaza të vizitës në Bruksel, ministri Dimitrov do të takohet me Oliver Varheji, eurokomisar për politikë fqinjësore dhe zgjerim, me shefin e kabinetit të kryetarit të Këshillit Evropian, Sharl Mishell dhe me shefin e kabinetit të kryetares së Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen.