Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se Evropa duhet të “ripozicionohet” në një botë që po ndryshon vazhdimisht dhe është duke mirëpritur unitetin e fuqive të Bashkimit Evropian kundrejt Iranit, në krahasim me ndasitë e thella lidhur me luftën 16-vjeçare në Irak.Merkel ka thënë në një intervistë për të përditshmen gjermane, Sueddeutsche Zeitung se Evropës i duhen arguemente më largpamëse, pasi sipas saj vetëm duke “përmendur shtatë dekada të paqes nuk është mjaftueshëm për të arsyetuar Evropën”.Pak para mbajtjes së zgjedhjeve në Parlamentin Evropian më 23-26 maj, ajo ka thënë se “nuk ka dyshim se Evropës i duhet të ripozicionohet në një botë që po ndryshon”.
Sipas saj, është “vlerë në vete” që Evropa nuk është e ndarë sa i përket Iranit.
Fuqitë evropiane kanë thënë ditë më parë përmes një deklarate se nuk pranojnë “ultimatumet” e Iranit sa i përket marrëveshjes bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.
Deklarata e tyre ka ardhur pasi Irani ka hequr dorë pjesërisht nga kjo marrëveshje, duke iu bërë thirrje vendeve nënshkruese që të mbrojnë interesat e Iranit kundrejt sanksioneve amerikane.
Shtetet e Bashkuara në anën tjetër i janë kundërpërgjigjur paralajmërimeve iraniane me sanksione të reja, për dallim nga ato të gati një viti më parë dhe kanë pozicionuar një aeroplanmbajtëse në Lindje të Mesme, duke cituar aktivitetet e dëmshme të Iranit.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të jetë tërhequr nga marrëveshja bërthamore, pasi kjo e fundit ka pasur shumë mangësi.