Mediet greke: Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale nuk e heq tabelën me emrin e vjetër

Qëndrimin e ministres teknike të Punës dhe Politikës Sociale, Rashella Mizrahi se do të vazhdojë ta përdorë tabelën me emrin e vjetër, e publikojnë mediet në Greqi, duke transmetuar tekstin e agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.

“Maqedoni e Veriut: Vazhdon të provokojë ministrja e Punës”; “Shkup:Ministrja e Punës nuk e hoqi tabelën me emrin ‘Republika e Maqedonisë”; “Ministrja e Maqedonisë së Veriut insiston për tabelën e vjetër”; “Ministrja e VMRO-së përsëri u paraqit para tabelës kontroverse Republika e Maqedonisë”; “Maqedoni e Veriut:Ministrja e Punës nuk e heq tabelën me emrin e vjetër të vendit”, janë një pjesë e titujve në edicionet onlajn të medieve greke.\“Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale nga qeveria teknike e Maqedonisë së Veriut, Rashella Mizrahi, në konferencë për shtyp për temat e ministrisë së saj, përsëri u paraqit para tabelës ‘kontroverse’ në të cilën është shënuar emri paraprak i vendit (Republika e Maqedonisë). Mizrahi e cila vjen nga radhët e VMRO-DPMNE-së opozitare, e pyetur për këtë, deklaroi se tabelën e trashëgoi kur e ndërmori funksionin e ministres në fillim të janarit dhe nuk ka për qëllim ta ndryshojë”, shkruan agjencia greke e lajmeve në tekstin me titull “Maqedoni e Veriut:Ministrja e Punës e përdor tabelën me emrin e vjetër të vendit” që e morën edicionet tjera onlajn të medieve në Greqi.
Mediet, paralelisht, e transmetojnë edhe lajmin për ratifikimin në Kuvendin e RMV-së të protokollit për anëtarësim në NATO, tekst gjithashtu i publikuar dhe marrë nga agjencia shtetërore e lajmeve ANA-MPA.

Në tekst, është sqaruar se mbetet që edhe Spanja ta ratifikojë protokollin për anëtarësim të vendit tonë në NATO, sipas gjitha gjasave në mars, por se atëherë “do të shpërbëhet Parlamenti i Maqedonisë së Veriut që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 prill” ndërsa ishte transmetuar edhe një pjesë e fjalimit të presidentit Stevo Pendarovski.