Lavdëruar qofshin hajdutët!

Arbër Çeliku

A ende ka budallenj
Që komandantit shiritin e kuq në pantallona ia qepin?!
Sado që ai të ëndërrojë përpiqet
Nuk ju mban dot juve me ëndrra!
Më shumë të plaçkitur ka në trojet tona
Hajdutët në gishta mund t’i numërojmë
Duartrokitësit janë të shumtë në numër
Me zemër mezi i gjen nja dy a tre

Hidhni një sy vetes
Jo në pasqyrë, por në brendi
Mos druani nga rëndesa e së vërtetës
Antipatia nga mësimi assesi nuk duhet t’ju dekurajojë
Mashtrimi nuk është për burra
Ngushëllimi kushton shumë
Në xhami ka vend për të gjithë
Tjetër punë është nëse Zoti faljet do të na i pranojë!

Ç’kërkoni ju nga çakenjtë?
Si ujq të ulërijnë?
Ata veç dhëmbët dinë t’i kërcëllasin
Në tufë të të sulmojnë
Mëshirë nuk kanë as për veten
Nuk njohin nënë, motër, vëlla dhe baba

Ndaçi vazhdoni t’i ndjellni
Lemerisë nuk i shpëtoni dot
Magjinë ata ua shesin për vepër
Çmim verbërimi nuk ka

Lavdëruar qofshin hajdutët!
Kurse ju, të grishur për dhunim të shpirtit kolektiv
Nuk rreshtët kurrë së bëri temena
Të zgërdhimen të vetmen armë e keni në publik
Qoftë edhe sa për sy e faqe
Sa mirë që dini ta ngushëlloni veten!
Mëkatarin as vorri nuk e mba

24 janar 2020