Kushti i VMRO-së nuk pëlqehet nga partitë shqiptare

Partitë politike shqiptare në këtë fazë nuk e pranojnë si të mirëqënë deklaratën e kreut të VMRO-DPMNE-së i cili në njëfarë forme paralajmëroi kushtëzimin e koalicionit pas-zgjedhor në rast të korrjes së fitores. Mickoski një ditë më parë deklaroi se kur kërkojnë diçka, shqiptarët duhet të heqin dorë nga një gjë tjetër, duke akuduar në disa dispozita të ligjit të gjuhëve dhe në shkëmbimin e posteve të caktuara në pushtetit lokal me posteve kyçe në pushtetin qendror.

Mesazhi im është që kur dikush kërkon të drejta, duhet të jetë i gatshëm edhe të japë të drejta. Nuk duhet vetëm të kërkosh por edhe të jesh i gatshëm të japësh. Të negociojmë mbi parime. Doni kryetar të Kuvendit të cilin do ta propozoni ju si përfaqësues të bashkësisë etnike shqiptare, në rregull. Por duhet të jeni të gatshëm që në Komunën ku keni kryetar komune, kryetari i këshillit aty të propozohet nga bashkësia maqedonase që është pakicë në atë komunë”-tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Për BDI-në çështjet e pozicioneve varen nga rezultatet e zgjedhjeve, por duke u respektuar parimi Kushtetues i përfaqësimit të drejtë. Bujar Osmani thotë se nuk ka kthim pas nga konsensusi për njërin nga tre postet kyçe në shtet.

Unë nuk mendoj se këtu dikush jep dhe merr të drejta. Të drejtat u takojnë qytetarëve në bazë të nënshtetëtsisë dhe faktit që janë shtetas dhe askush nuk ka më pak ose më shumë të drejta që të mund t’i japë ose t’i marrë dikujtë. Përfitimi i këtij mandati është praktika e vendimmarrjes konsensuale me dy zgjedhjet e këtij mandati, Presidentit dhe kryetarit të Kuvendit me konsensus për një prej tre pozitave, unë mendoj se është një e arritur e madhe nga e cila kthim mbrapa s’ka”-pohoi Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për çështje evropiane.

Lëvizja Besa vlerëson se pushteti qendror dhe ai lokal nuk mund të lidhen njëra me tjetrën por varen nga numrat në zgjedhje.

Shteti ka nevojë për një Qeverisje ndryshe. Nuk mund të flasim për situata hipotetike. Qeverisja është çështje kompromisesh, prandaj komfor numrave në Kuvend votohet Qeveria ndërsa komfor numrave në zgjedhjet lokale vendosen këshillat komunale dhe nuk mund të lidhet njëra çështje me tjetrën”-thonë nga Lëvizja Besa.

Për Aleancën për Shqiptarët, Mickoski, para se të bëjë deklarata të tilla, duhet të ketë parasysh parimin e përfaqësimit të drejtë etnik në institucione dhe të drejtën e përdorimit të shqipes.

Në një vend demokratik, sovrani përcakton se kush duhet të udhëheqë me shtetin dhe institucionet. Në një shtet demokratik të drejtat janë të garantura me konventa ndërkombëtare dhe si të tilla janë të lindura ose të trashiguara. Organizimi politik për të mirën e shoqërisë, bëhet me programe politike, me të cilat partitë fituese marrin legjitimitetin e shumicës së votuesve. Në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut, programi qeveritar politik duhet të ndërtohet mbi bazen e konsenzusit politik, i cili duhet të reflektojë realitetin politik por edhe multietnik”-theksuan nga Aleanca për Shqiptarët.

Për Alternativën është e rëndësishme që marrëveshjet politike të bëhen në transparencë.

Natyrisht se gjatë bisedimeve për koalicionim duhet të bëhen kompromise nga palët që duan të formojnë qeveri dhe shpesh ato kompromise mund të jenë edhe të mëdha por gjithmonë janë reciproke. Është për keqardhje se pse në kampin maqedonas është krijuar bindja se shqiptarët vetëm marrin dicka e asgjë nuk japin, por ne mendojmë se mbase është e kundërta. Mbi të gjitha, programet qeverisëse duhet të ndërtohen në mirëbesim dhe me transparencë para qytetarëve që të dihet saktë se cila do të jetë agjenda katërvjeçare e një qeverie”-thonë nga Alternativa.

Mickoski mes tjerash, kishte deklaruar se kur partitë shqiptare kërkojnë avancimin e shqipes, duhet të kenë parasysh dispozitat kushtetuese dhe rekomandimet ndërkombëtare, duke aluduar në rekomandimet e Komisionit të Venecias.