Autor: Senat Ferati

Vitet e fundi Bashkësinë fetare islame po e tronditin skandale të njëpasnjëshme të natyrës korruptive, nepotiste, e kriminale, të cilat si autor kryesor po e kanë Sulejman Rexhepin. Keqpërdorimi i zeqatit dhe kurbaneve për qëllime personale e familjare, shpërdorimi i vizave të haxhit si dhe falsifikimi i pasaportave për përfitime klanore janë janë vetëm disa nga skandalet e përsëritura viteve të fundit. Të gjitha këto realizohen duke abuzuar me normat procedurale që burojnë nga Kushtetuta e Bashkësisë Fetare Islame të vendit tonë, kurse e gjithë kjo bëhet vetëm e vetëm që të mbetet përjetshëm në pushtet Sulejman Rexhepi. Të gjitha këto skandale këtij nuk i mjaftojnë për të prekur ndërgjegjen e tij njerëzore, morale, fetare, kombëtare e profesionale që të e kuptojë se të gjitha këto abuzime janë bërë të tepërta dhe se është koha për të dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i sulltanatit të tij. Është e nevojshme me ia rikujtuar personit në fjalë historinë e mirënjohur, të cilën e din shumë mirë edhe ai, aktin e inaugurimit për kalif të Ebu Bekrit i cili me atë rast solemn iu drejtohet masës të cilët e votonin që derisa e shohin se ky po e respekton ligjin, këta të e përkrahin dhe ndihmojnë, por nëse e shohin që ky ka filluar me abuzuar me pushtetin e tij, atëherë që nga ai moment këta kanë të drejtë të shkarkojnë nga detyra që ushtron. Por, duket, as kjo histori nuk ndikon si mësim për Sulejman Rexhepin. Atëherë, kur një uzurpator, meqë e ka humbur legjitimitetin moral, në mënyrë konstante i shantazhon organet e BFI-së dhe tërë BFI-në si institucion, çka duhet bërë qytetarët mysliman për të penguar amullinë që e ka pllakosur këtë institucion? Të durojnë, të i bëjnë sabër kësaj “sprove”? Të luten që Zoti të e largojë atë nga posti? Tash,lutjet nuk bëjnë punë! Historia politike e shoqërisë islame na dëshmon atë që e thotë Zoti në Kuran që fillimisht duhet që populli të ndryshojë veten (status quonë), e që pastaj të vie ndihma e Tij. Jo e kundërta! Deri kur ne do të vazhdojmë të tolerojmë që dikush të i keqpërdorë kontributet e tona (taksat, fitrat, zeqati, kurbanet etj.) të fituara me shumë mund? Personat përgjegjës të këtij institucioni duhet zëshëm të i demaskojnë dukuritë e abuzimit me këto kontribute. Heshtja është bashkëfajësi. Por, edhe tolerimi nga ana e jonë për çdo vit të shpërdorimit të kontributeve tona është non sens, e pafalshme! E dimë që Profeti na ka porositur: “Besimtari nuk duhet të lejoj që gjarpri të e kafshojë dy herë në të njëjtin vend”. Kurse ne po kafshohemi për çdo vit, sërish e sërish. Deri kur? Për të penguar shpërdorimin e mëtutjeshëm të kontributeve tona duhet që këto mos të ia dorëzojmë edhe më tutje organeve të BFI-së, por çdokush kontributet të i japë (rrugës jashtë institucionale) aty ku është nevoja. Vetëm kështu do të filloj të rritet presioni i brendshëm i punonjësve fetarë (sidomos atyre në Rijaset) brenda BFI-së që të reagojnë për të ndërprerë këto praktika indinjuese, të pamoralshme, dhe të fillojnë të e ndryshojnë gjendjen e tanishme të padurueshme. Pastaj dihet, sado që të i lutet Sula Zotit për ndihmë, lutja nuk do të i bëjë punë. Pas kësaj na pret detyra e sensibilizimit për reformimin gjithëpërfshirës të BFI-së, edhe të kushtetutës së saj, për të kufizuar mandatin e “përjetshëm” të Reisit, që mos të na përsëritet në të ardhmen suloizmi, por as servilizmi.