Kur bërllogu vlen më shumë se jeta e shqiptarit

Arbër Çeliku

Linda, u rrita dhe, me gjasë, do të vdes në bërllog.
Deponia më e madhe në komunizëm ishte 1 km larg shtëpisë time dhe 20.000 banorët e ish-komunës së Osllomesë, për të shkuar dhe kthyer nga qyteti, duhej të kalonin përmes pirgut të plehrave, që vinin nga e gjithë Maqedonia. Aty ishte grumbulluar i gjithë pisllëku, por nuk mbaronte me kaq, as ujë nuk na jepnin neve shqiptarëve, por me të i lanin makinat e TEC Osllome.
Ishim të shtypur, qytetarë të rendit të fundit, por e dinim se s’kishim forcë për ta ndryshuar gjendjen dhe heshtnim, me shpresë se një ditë do të bëhej mirë.
Dhe, çfarë po ndodh sot?! Sot, kur qyteti i Kërçovës drejtohet nga ne. Sot, kur pushteti qëndror bashkëndërtohet dhe bashkëqeveriset nga ne?! Thua vallë përfaqësuesit tanë ta kenë harruar kutërbimin vdekjeprurës të bërllogut gjysmëshekullor të komunizmit?! Shumëkush nga ne e pyesim veten dhe çuditemi paq.
Qe 3 vjet tentohet, që krahas një vrasësi të heshtur, siç është TEC Osllome, të ngritet përsëri deponia e komunizmit para oborrit tonë. Atëbotë i mbështeta fuqishëm përpjekjet për ta parandaluar këtë masakër që i bëhet vendlindjes time, i mbështes edhe sot, ndonëse jam larg, por, para se të protestojnë bashkëvendasit e mi, le të kërkojnë ta dinë kush i shiti, pse i shiti dhe sa i shiti?!
Bërllogun nuk na e sjell shteti, por tuxharët tanë dhe ata, si zakonisht, na shesin lirë në pazar…

Loading...