KSHZ-ja, me numër të pamjaftueshëm të punësuarish

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në prag të fillimit të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve, përballet me mungesë të theksuar të numrit të të punësuarve. Në fund të dhjetorit, rreth 15 vetave u ka skaduar kontrata për punësim të përkohshëm. Për shkak të vonesave administrative si dhe përgatitjes së aktit të sistematizimit të cilin ky institucion nuk e ka pasur më herët, KSHZ-ja nuk ka marrë pëlqim nga Ministria e Administratës për punësime të reja për vitin 2020. Kreu i KSHZ-së Oliver Derkoski, thotë se Kodi zgjedhor u jep mundësinë për angazhime të tjera të përkohshme për qëllim të nevojave për organizimin e zgjedhjeve, por kjo nuk shihet si zgjidhje e mire.

Kodi zgjedhor na jep mundësi që të kërkojmë persona nga administrata në të gjithë vendin, aq për sa ne kemi nevojë dhe do ta plotësojmë këtë boshllëk megjithatë është ndryshe kur keni të punësuar në institucion, janë më të motivuar për punë, e dinë punën e tyre dhe komunikojnë me ne. Është ndryshe kur duhet për një periudhë më të shkurtër të angazhoni njerëz që punojnë në rreth tjetër dhe komunikimi me to është pak më i vështirë- deklaroi Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.

Derkoski thotë se për vitin e ardhshëm do të kërkohet një zgjidhje afatgjate.

Në periudhën e ardhshme pas këtyre zgjedhjeve patjetër duhet të zgjidhet ky problem sepse ai është bërë tashmë alarmant. Ndërkohë që punon ky komision prej një vit e gjysmë kanë ndodhur edhe shumë pensionimeve të të punësuarve tanë në zyrat rajonale- tha Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.

Një nga shembujt është njësia rajonale e KSHZ-së në Manastir, e cila për momentin nuk ka asnjë të punësuar, pasi dy ish të punësuarit tashmë janë në pension. Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës pranon se kornizat kohore ligjore kanë shkaktuar një problem të këtillë në disa institucione. Ministri Damjan Mançevski e quan ligjin të verbër në këtë aspekt dhe të papërshtatshëm për nevojat e institucione dhe realitetin.

Plani vjetor për punësim dhe afati për dorëzimin e planit vjetor për punësim nuk mund të jetë pengesë për KSHZ-në ose për shembull as për Entin Shtetëror të Revizionit në të cilin nuk kishte kush të dorëzojë plan vjetor për punësim sepse nuk kishte udhëheqësi. Punojmë në zgjidhjen e problemit në aspektin administrativ dhe shpresoj se së shpejti këto ditë do të gjejmë zgjidhje. Sido që të jetë KSHZ-ja duhet t’i ketë të gjithë kushtet e nevojshme për zbatimin e zgjedhjeve- pohoi Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës .

Më problematik në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve është sektori juridik i cili e ka punën më të madhe, sidomos gjatë përgatitjes së ankesave dhe parashtresave gjatë zgjedhjeve. Për momentin, në këtë sektor nuk ka asnjë të punësuar. Për një punë solide, KSHZ-ja ka parashtruar kërkesë për 38 vende pune. Nga Ministria e Financave ka marrë pëlqim pikërisht më 31 dhjetor, duke mos pasur kohë që ta dorëzojë të njëjtën kërkesë për miratim edhe në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës./Alsat