Kosovë, sot nis Java kundër korrupsionit

Një sërë aktivitetesh janë paraparë të mbahen në kuadër të Javës kundër Korrupsionit në Kosovë.

9 dhjetori njihet ndryshe edhe si ‘Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit’, e cila shënohet që nga kalimi i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit më 31 tetor 2003, për të rritur ndërgjegjësimin publik për antikorrupsion.
Sipas Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, në vendet në zhvillim, fondet e humbura për korrupsion vlerësohen në 10 herë më shumë se sa ndihma zyrtare për zhvillim.

Korrupsioni është një krim i rëndë që mund të dëmtojë zhvillimin social dhe ekonomik në të gjitha shoqëritë, ndaj të cilit asnjë vend, rajon ose komunitet nuk është imun.
Edhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, për vitin e katërt me radhë, janë bërë bashkë në Javën kundër Korrupsionit, e cila do të nisë sot.

Gjatë kësaj jave do të trajtohen çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në qeverisje, prokurim publik, shëndetësi e arsim, teksa fokusi kryesor do të jenë sinjalizuesit, mbrojtja e tyre dhe ligji për sinjalizuesit, i cili është miratuar këtë vit.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Programin Aktiviteti për Drejtësi Komerciale të USAID, prezantojnë të gjeturat e studimit rreth Perceptimit të Korrupsionit sipas Bizneseve.

Edhe Organizatat e Koalicionit do të publikojnë Kalendarin e Aktiviteteve të Javës kundër korrupsionit. Ndërsa, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizon ekspozitën dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve për garën për fotografinë më të mirë kundër korrupsionit 2019.

Lëvizja FOL mban tryezë diskutimi me temë “Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve – Sfidat e zbatimit në praktikë”, teksa UNDP dhe Agjencia zvicerane për zhvillim dhe kooperim SDC organizojnë ceremoni të ndarjes së çmimeve për gazetari me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Po me rastin e kësaj dite, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe “Betimi për Drejtësi” me rastin e shfaqjes së premierës së dokumentarit “Sinjalizuesit e korrupsionit”, kanë organizuar një program, ku do të flasë edhe zëvendës shefi i Ambasadës amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe.

Loading...