Vendet e Ballkanit kanë strategji të njëjtë veprimi, kanë të njëjtat politika të ndjekura nga politikanët që zakonisht në këto vende janë të korruptuar, të pasur dhe vrasës kur është në pyetje lëshimi i pushtetit, thotë publicisti dhe analisti politik, Gazmend Islami.

Islami pohon se, ngjarjet e ndodhura në Maqedoni në muajin maj tregojnë më së miri se deri ku ka shkuar bashkëpunimi mes shërbimeve të fshehta të tri shteteve, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni.

“Vetë bërja publike e AKI-së se ka informuar krerët e shtetit për grupin që kishin vendosur të hyjnë në luftë në Maqedoni tregon më së miri se deri ku është i zhytur krimi i organizuar i pushteteve. Po të ishim një shtet normal dhe demokratik menjëherë pas ngjarjeve të ndodhura në Kumanovë do të duhej të kërkonte themelimin e një grupi punues të përbashkët mes dy shteteve nën mbikëqyrjen e SHBA-së dhe BE-së për të pasur një neutralitet për të ardhur në përfundim se kush ishin ata që grupin e shqiptarëve e futën në luftë dhe i tradhtuan. Kush ishin protagonistet kryesor në shërbimin e Maqedonisë që hartuan planin deri në detaje, a ishin të implikuar edhe AKI-a dhe SHISH-i shqiptar në këto ngjarje”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, kur të bëhej kjo, atëherë shteti i Kosovës ka të drejtë të akuzoj shtetin maqedonas për vrasje të planifikuara, për organizimin e prishjes së stabilitetit në Rajon, nuk ka dyshim se SHBA kanë përgjimet dhe dinë për përgatitjen e kurthesh ndaj shqiptareve në Kumanove, por për të arritur kjo do të duhet të ketë vendosmëri nga shteti i Kosovës që kësaj çështje ti shkohet deri në fund.

“Në bazë të asaj që shkruhet se në mesin e gjallëve gjatë arrestimeve ishin edhe Beg Rizaj e Mirsad Ndrecaj tregon më së miri se kemi të bëjmë me vrasje të qëllimshme shkelet e drejta ndërkombëtare ku shteti duhet të dënohet për krime të kryera”.

“Kemi edhe autopsinë e kryer nga ekspertet e mjekësisë ligjore në Prishtinë që dinë se si ka ardhur vrasja e Beg Rizajt e Mirsad Ndrecajt, sepse ata mund të përcaktojnë edhe kohën e vdekjes.
Pra e gjithë e drejta është në anën e Kosovës për të ngritur akuzë dhe akuzuar shtetin maqedonas, por kur mendojmë se pse kjo nuk ndodh vijmë në përfundim se pas krejt kësaj që ka ndodhur është i implikuar edhe shteti i Kosovës. Prandaj nuk pritet se këta do të bëjnë për të zbardhur të vërteten e Kumanovës”, thotë publicisti dhe analisti politik Gazmend Islami.Botasot

Loading...