Koronavirusi, autoritetet paralajmërojnë kontrolle më të forta në të gjitha vendkalimet

Kontrolle të përforcuara në vendkalimet kufitare, kontrolle në aeroportet ndaj të gjithë pasagjerëve – situata në Itali me të infektuarit me virusin korona e ndezi alarmin në Maqedoninë e Veriut. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Komisionit për sëmundje infektive, u vendos që në vendkalimet kufitare të vendosen hapësira të ndara, ku të gjithë pasagjerët që vijnë nga destinacionet në rrezik do të intervistohen nga policia kufitare, e cila më pas do të kontaktojë me qendrat e shëndetit publik. Kamera termike, nga ana tjetër, do të instalohet në aeroportin e Shkupit në një vend që do të monitorojë të gjithë pasagjerët që vijnë, ndryshe nga deri tani, kur u kontrolluan vetëm pasagjerët nga Dubai dhe Stambolli.

Nëse ka pasagjerë që duhen vëzhguar dhe ndjekur më tej, për këtë është përgatitur repart infektiv në Spitalin Klinik në Shtip, ndërsa gati do të jenë edhe reparti infektiv në spitalin e Velesit dhe Gostivarit sipas nevojës dhe në varësi se sa qytetarë do të duhet të monitorohen – u shpreh Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Filipçe u bëri thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë në zonat e rrezikshme nëse nuk kanë nevojë urgjente, dhe më shumë detaje mbi një ndalim apo anulim të mundshëm të ekskursioneve shkollore, njoftoi se do të ketë pas takimit të Qendrës së Menaxhimit të Krizave. Nga Ministria e Punëve të Jashtme informojnë se deri tani nuk ka shtetas tonë në Itali që janë infektuar me virusin, ndërsa në rajonet e prekur nga virusi Lombardia, Veneto qëndrojnë rreth 23 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Numri i të vdekurve nga virusi Korona në Itali arriti në 7, ndërsa popullata është në panik pas paralajmërimeve se rreth 50 mijë banorë në veri të vendit për disa javë do të mbeten në karantin. Dyqanet janë të zbrazura, ndërsa janë anuluar aktivitetet sportive dhe kulturore. Në Kroaci dhe Greqi, autoritetet kanë anuluar të gjitha udhëtimet edukative dhe ekskursionet në Itali.

Alsat